10 Korrik, 2018 - 4:00 pm
Festivali i Muzikës së vjetër “VOX BAROQUE” i cili i kushtohet tërësisht repertorit barok po i kthen skenat e hapura të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike.
Edicioni i pestë i këtij festivali përkon me 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ndaj dhe ky edicion i dedikohet figurës së tij duke përfshirë në repertorin e këtij viti muzikë të kompozitorëve të periudhës baroke kushtuar heroit tonë.
Jehona e tij qe aq e madhe në Evropë sa kompozitorë si Vivaldi e Rebel i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë duke kompozuar opera në emër të tij.
Një nga titujt më të rëndësishëm të zhanrit lirik francez “ tragedie lyrique” është opera SCANDERBEG e Francois Rebel me libretin e A.H.de La Motte e kompozuar në Francë, në një shoqëri ku shija për heronjtë dhe ekzotikun ishte shumë prezentë.
Qyteti Muze i Beratit ishte ndalesa e dytë e festivalit të Muzikës Baroke. Në mjediset mbresëlënëse të Muzeut Etnografik interpretuan “Trio hollandeze” dhe e ftuara e mbrëmjes sopranoja Erida Agolli.
Shfaqja ishte një mbrëmje e mahnitshme dhe për të pranishmit pasi përkoi me 10-vjetorin e përfshirjes se këtij qyteti në listën e pasurive të trashëgimisë botërore UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.
Ky festival është pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithëpërfshirje nga jugu në veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF.
Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil.
Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, shkruan a.t.a./KultPlus.com