28 Shtator, 2019 - 7:00 pm
Ka nisur “SOFAT Festival” në fshatin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ku banorët dhe vizitorët e shumtë kanë shijuar deri në mesnatë muzikë, filma dokumentarë dhe prodhime tipike të zonës.
Në këtë festival, i cili do të vijojë edhe sot, vizitorët kanë mundësi të shijojnë vjeljen e rrushit e fruta të ndryshme, të ziejnë raki, të shkojnë nëpër baxho e ferma kuajsh, të gatuajnë me njerëzit e zonës dhe mbi të gjitha, të argëtohen me njëri-tjetrin.
Gjithashtu vizitorët do të kenë mundësi të flenë dhe ushqehen në shtëpitë e vetë banorëve të zonës e të ndajnë me ta përvoja e histori të ndryshme.
Kjo festë do të vijojë dhe në datat 4 dhe 5 tetor në Libohovë nën kombinimin e tingujve bashkëkohorë dhe tradicionalë të të ftuarve Officina Zoe nga Italia, Fanafara Tirana dhe Hysni Zela, Linda Rukaj Band dhe grupeve e ansambleve folklorike të zonës.
“SOFAT Festival” është një festival kushtuar pasurisë kulturore dhe sharmit të jetës rurale, një dimension njerëzor kompleks, të cilin tashmë po e rizbulojmë e rivlerësojmë vazhdimisht nëpërmjet peizazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës e ushqimit. /KultPlus.com