Sonatat klasike nën interpretimin e Gabriele Carcanos përkëdhelen mbrëmë secilin të pranishëm në Chopin Piano Fest

30 Qershor, 2021 - 12:02 pm

Era Berisha

Gabriele Carcano, pianisti italian mbrëmë në festivalin e Chopin Piano Fest, solli para publikut një interpretim pianistik me sonata klasike të cilat rrallë herë dëgjohen në kryeqytetin e Kosovës. Performimi gjallërues e llojllojshmëria e tingujve që dhuroheshin nga timbri shpirtëror i pianistit, shpalosi një thjeshtësi dinamike që zotëroi skenën, atmosferën dhe njëkohësisht joshi publikun me melodi të cilat përkëdhelnin vështrimin e tyre në çdo sekondë, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare tash e një muaj është shndërruar në shtëpinë e interpretimeve pianistike, të cilat vihen ende më shumë në pah me inkuadrimin e reflektorëve ngjyrë vjollcë, ata të ngrohtë të vendosur anash në sallë, por të cilët humbnin efektin e tyre kur drita natyrale e cila vinte nga dritarja rrethore në mesin e objektit, depërtonte në ambient. Kjo dritë natyrale sa vinte e zvogëlohej duke rritur kështu edhe entuziazmin e të pranishmëve në një nivel më të lartë e njëkohësisht dallohej ende më shumë edhe loja madhështore e gishtërinjve të pianistit, me ç’rast ai filloi interpretimin e sonatave klasike njëra pas tjetrës, duke goditur atmosferën menjëherë në sekondën e parë.

Tashmë, si çdo herë, hapjen e kësaj nate të festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula, e cila është shprehur se po ndjehej mjaft e lumtur që po i afroheshin fundit të festivalit me një sukses tejet të madh. Ajo poashtu për publikun dhuroi disa informacione mbi pianistin që pas pak do të dilte në skenë e ta zotëronte atë plotësisht me thumbime të vazhdueshme performuese.

Me një shpejtësi, siguri në vetvete dhe një ndreqje të shpejtë të syzave të tij, para të pranishmëve doli pianisti Gabriele Carcano. Vepra e parë e titulluar ‘Sonata op.14 nr.1 E-dur’ nga L.V.Beethoven, e interpretuar nga pianisti, solli një frymë sa klasike po aq edhe të prekshme, ku meloditë e tingujt u zgjuan papritmas si një cicërimë e butë e zogjve, një tingëllimë e bukur magjepsëse. Lëvizjet precize të tij mbi çelësat e pianos binin me një butësi të jashtëzakonshme, një përkëdhelje që qetësisht kaplonte edhe qelizat e secilit njeri.

Sonatat klasike të Beethoven dhe alegrot e plota, u shpalosën para publikut me lëvizje të ngadalta, një lëvizje vallëzimi mes çelësave të instrumentit bardh e zi dhe gishtërinjve të pianistit. Performanca e tij, mbrëmë dhuroi një ringjallje të notave dhe tonit që në vete ngërthenin një bukuri të tillë që edhe mjalta e sheqerosur nuk do të mund të krahasohej me veçantinë e këtyre veprave që këndonin serenata për publikun dhe endeshin në atmosferë si një agim i hershëm që zinte vend në momentet më të rralla.

Notat qiellore që pasonin çdo moment, kishin një krenari aq të madhe e ngjasonin me një vetëtimë, melodia e së cilës pushtoi hapësirën papritmas në një cungim të vështrimit të publikut dhe në një përqafim të ngushtë të fijeve delikate shpirtërore. Luhatjet e kokës, shprehjet e fytyrës, kërcimet e lehta trupore dhe efikasiteti e serioziteti i teknikës së pianistit, dëshmoi se interpretimi pianistik, sado që gjallërohet nga skena bukur e krijuar, në fakt lulëzimi i vërtetë në llojllojshmërinë e ngjyrave melodike, vjen nga brendësia e trupit të pianistit, nga thellësia e kockave të tij që posedonte një talent unik, ekzistenca e së cilit ishte ulur shkëlqyeshëm në shtresën ajrore të sallës.

Gishtërinjtë e tij po fluturonin mbi çelësa si dallëndyshet që interpretojnë në livadhin e tyre, ndërsa duart e tij ndërronin kahje si një shushurimë e gjetheve të stinës së vjeshtës, të cilat kanë dy anë krejtësisht ndryshe por frymojnë si një eufori e tërbuar. Carcano përgjatë dy orë performimi të veprave të njohura nga kompozitorët botërorë si: L.v.Beethoven, Matteo Manzitti dhe Schumann, kapi dukshëm vëmendjen e çdokujt me një kujdes të pavetëdijshëm, për arsye se ai ishte futur në botën e tij melodike, aty ku qenia njerëzore futet në pasionin e vetmuar teksa shpirti ngritet e del jashtë si një narrator i mbrëmjes.

Heshtja afër fundit të çdo vepre, dëshironte vëmendjen fizike dhe emocionale të njeriut, për ti dhuruar atyre një dridhje intime që ecte ngadalë mbi lëkurë derisa futej përtej e arrinte destinacionin e saj. Andaj, edhe pianisti mbrëmë krijoi një urë të padukshme mes botës hyjnore të tingujve, aty ku shumica ishin futur dhe botës imagjinare, aty ku njeriu mbyll sytë e tij e vazhdon të rindjejë e ripërjetoj emocionet lehtësisht të dhuruara nga interpretimi pianistik.

Pas gjithë kësaj nate të paharrueshme, ishte radha që publiku të krijoj një performim gërshetues mes duartrokitjeve e brohoritjeve që nuk po ndaleshin dot, derisa edhe vetë pianisti me një buzëqeshje që zmadhohej çdo herë kur ai dilte nga prapaskena për të falënderuar publikun që e riktheu atë tri herë në skenë.

Pianisti italian Gabriele Carcano i cili për herë të parë performoi në Prishtinë, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme dhe emocioneve të tij pas interpretimit pianistik.

“Është gjithmonë një ndjenjë e çuditshme pas një koncerti, sepse kur je në skenë dhe luan e performon, nuk dëgjon asgjë që audienca është duke dëgjuar. Pra, është shumë e vështirë që të dish se si disa gjëra kanë ndodhur por me eksperiencë kam vërejtur që disa herë kam një përshtypje për atë se cfarë bëra e që është krejtësisht ndryshe nga ajo që ka dalur në skenë”, thotë Carcano.

Sipas tij, një artist që performon dhe del nga skena, ai ndjehet që ka dhuruar gjithçka por në fakt ai nuk e din se si ka shkuar në të vërtetë, prandaj nevojitet ekzistenca e publikut.

“Je aq shumë brenda performancës, saqë nuk dëgjon asgjë tjetër sepse je duke performuar nga brendësia jote dhe kjo është një ndjenjë e veçantë dhe prandaj e dua shumë. Interpretimi në Prishtinë shkoi shumë mirë dhe pashë shumë studentë të muzikës që ishin shumë të entuziazmuar dhe përkrahës. Andaj, kurioziteti i publikut është gjëja më e mirë që ndodh e sidomos kur ata vështrojnë dhe dëshirojnë të kuptojnë se çka po ndodh”, ka thënë Carcano për KultPlus.

Për Carcanon, skena dhe hapësira ishte tejet e mirë dhe akustika ishte e duhur. Ndërsa, secila pjesë e interpretuar ka ngritjet dhe uljet e tyre, por fundi i koncertit për të është gjithmonë momenti kur publiku inkuadrohet më shumë.

“Vëmendja e publikut, fytyrat e reja në publik dhe reagimet e tyre të menjëhershme ndaj muzikës, janë këto gjëra që do ti mbaj në mend kur mendoj për të ardhur e performuar në Prishtinë”, përfundon Carcano për KultPlus.

Chopin Piano Fest do të prezantojë koncertin e fundit për edicionin e 11-të të tij. Nata e fundit e këtij festivali, vjen nesër ku do të interpretojë pianistja amerikane Zoya Shuhatovich në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Ndërsa, në këtë natë do të shpallet edhe fituesja e Çmimit Special të Chopin Piano Fest. / KultPlus.com

Të ngjajshme