Sonte fillon Festivali i TVSH-së, zbulohen detajet e votimit

21 Dhjetor, 2017 - 2:19 pm

Mbrëmja e sotme në ekranin e RTSH do të sjelli për të gjithë shikuesit, edicionin e 56 të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit pritet me një interes mjaft të lartë nga publiku.

Duke kujtuar eksperiencën e edicionit të kaluar, ku votimi i publikut dështoi, lajm të cilin IMA e denoncoi që në fillim të tij, ishim tepër kuriozë se si do të funksiononte këtë edicion përzgjedhja e fituesit.

Kozeta Kurti zëdhënësja e Fest 56, e pyetur nga IMAlbania.com ka bërë të ditur detajet: “Nuk do të ketë votim natën e parë. Në fund të natës së dytë do të tregohen për publikun këngët që do të shkojnë në natën finale. Këtë edicion publiku nuk do të votojë. Transmetimi nëpër radio dhe internet ka pasur si qëllim vetëm që publiku t’i njohë këngët dhe ti mbështesë artistët që do të performojnë në skenë. U mendua që gjithçka të ishte e hapur për publikun, jo vetëm këngët por edhe të ftuarit, skenografia etj. Çmimin e parë juria do t’a japë në skenë duke mbajtur përgjegjësi deri në fund për vendimarrjen e secilit prej tyre.”

E pyetur për emrat e jurisë së këtij edicioni të Festivalit të Këngës, Kozeta mendon të na lëri në suspansë për të na e bërë suprizë mbrëmjen e sotme dhe të parën të eventit tradicional të RadioTelevizionit, i cili do të vijojë edhe në datat 22 dhe 23 Dhjetor me finalen e madhe. / KultPlus.com

Të ngjajshme