13 Maj, 2023 - 11:00 am
Edicioni i 67-të i Festivalit Europian të Këngës kulmon sonte (13 maj). Është nata më e madhe e Eurovizionit ku një nga konkurrentët do të kurorëzohet si fitues. Janë 26 këngë në garë, mes të cilave edhe “Duje” e Albina dhe Familjes Kelmendi.
Përfaqësuesja e Shqipërisë do të këndojë e 10 në radhë, ndërsa pritshmërit janë të larta, pas performancës elektrizuese në natën e dytë gjysmëfinale. Kënga “Duje” është pritur mjaft mirë nga publiku ndërkombëtar, ndërsa renditet në vendin e dytë si kënga më e klikuar në youtube nga gjysmëfinalistët.
Mbështetja për përfaqësuesen shqiptare është shumë e rëndësishme në këtë natë finale, ndaj të gjithë shqiptaret jashtë Shqipërisë mund të votojnë me kodin Vote 10, kur të hapet televotimi.
Festivali do të fillojë në orën 21:00.
Hapja
Gjithçka do të nisë me Kalush Orkestrën, fituesja e vitit të kaluar të Eurovizion në Torino. Nga Ukraina në Liverpool, kënga e tyre “Stefania” do të kalojë nëpër vende dhe versione të ndryshme në sekuencën hapëse që do të shfaqë edhe yje të tjerë si Sam Ryder apo edhe superylli britanik, Joss Stone.
Më pas, brenda Liverpool Arena, Kalush Orkestra do të vazhdojnë të performojnë këngën e tyre fituese, të cilëve do t’u bashkohen shumë njerëz.
Shfaqja e fundit që organizatorët e Liverpul kanë përgatitur për publikun titullohet ‘The Liverpool Songbook’ dhe është një homazh për traditën e qytetit britanik në muzikën pop. Protagonistë do të jenë Mahmood nga Italia, Netta nga Izraeli, Daoi Freyr nga Islanda, Cornelia Jakobs nga Suedia, Duncan Laurence nga Holanda dhe Sonia nga Liverpuli. Gjashtë artistët do të performojnë këngë të lidhura me traditën muzikore të Liverpul-it.
Si do të bëhet votimi
Vendi fitues i Eurovizionit 2023 do të zgjidhet 49,4% nga panelet kombëtare të gjykimit me pesë anëtarë dhe 50,6% nga televotimi i publikut. Gjithashtu, të drejtë vote kanë jo vetëm 37 vendet pjesëmarrëse të këtij konkursi , por edhe qytetarët nga e gjithë bota, të cilët jetojnë në vende që nuk marrin pjesë në Eurovision 2023.
Shikuesit në të 37 vendet pjesëmarrëse në Eurovision Song Contest 2023, si dhe shikuesit nga pjesa tjetër e botës, mund të votojnë për 26 këngët në finale.
Votimi për publikun do të fillojë pas përfundimit të këngës së fundit dhe do të zgjasë afërsisht 40 minuta.
Në fund të televotimit, së pari do të prezantohen rezultatet e votimit të jurisë, të ndjekura nga pikët e dhëna nga publiku dhe vendi me rezultatin më të lartë do të jetë fituesi./rtsh/KultPlus.com