Sonte finalja e Fest 63, kryeministri Rama përshëndet eventin muzikor

22 Dhjetor, 2024 - 5:04 pm

Sonte është nata e katërt dhe finale e Festivalit të Këngës në RTSH, kur do të zgjidhet fituesi i edicionit të 63-të, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2025.

Festivali është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama. Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social, Instagram, ai ndau një përmbledhje të momenteve më të bukura të tri netëve të kaluara në Fest 63.

Sonte në natën finale do të konkurrojnë 15 këngëtarë. Ata mbartin sfidën e një gare të fortë mes tyre për të marrë trofeun e fituesit të Fest 63.

Risi e këtij viti është se diaspora, për herë të parë, do të ketë zërin e vet në zgjedhjen e këngës fituese. Organizatorët kanë krijuar një faqe të dedikuar në të cilën të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të munden të votojnë për këngën që ata parapëlqejnë.

Votimi në adresën festivali.rtsh.al.  është i mundur vetëm për shqiptarët që ndodhen jashtë.

Në adresën më sipër nuk mund të votojnë qytetarët shqiptarë brenda vendit, ata në Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Votuesit nga Shqipëria dhe Kosova votojnë me mesazhe nga Shqipëria në numrin 56789 dhe nga Kosova në numrin 55789.Qytetarët kanë të drejtë që nga çdo numër të votojnë 5 herë vetëm kodin e artistit të preferuar.

Votat e shqiptarëve të diasporës do të mblidhen edhe me votat e qytetarëve shqiptarë brenda vendit në përllogaritjen e votave të përgjithshme për këngën fituese. Për të shpallur këngën fituese të Fest 63 do të llogaritet edhe votimi i jurisë profesionale të Festivalit të Këngës.

Këngëtarët dhe titujt e këngëve që konkurrojnë në finale:

Jet – Gjallë

Kejsi Jazxhi – Kur bota hesht

Vesa Smolica – Lutem

Stine – E kishim nis’

Djemë e Detit – Larg

Nita Latifi – Zemrës

Gjergj Kaçinari – Larg jetës pa ty

Orgesa Zaimi – I parë

Ardit Çuni – Amane

Algert Sala – Bosh

Shkodra Elektronike – Zjerm

Lorenc Hasrama – Frymë

Elvana Gjata – Karnaval

Mal – Antihero

Alis – Mjegull/atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme