26 Tetor, 2023 - 1:31 pm
Sonte do të nis Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Për tre netë me radhë, 18 këngë garuese dhe programi me mysafirë do t’i shoqërojë shikuesit e RTK-së dhe të pranishmit në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Ndërkohë, gjithçka është gati dhe është punuar në detaje në mënyrë që edicioni i parë të jetë festë dhe të hyjë në historikun e këtij organizimi.
Programi me mysafirë është premtuar se do të jetë atraktiv, duke bërë bashkë artistë nga Kosova e Shqipëria. Në të njëjtën kohë do të ketë art në shumë dimensione, duke përfshirë edhe shfaqje, dramaturgji e shumë surpriza të tjera.
Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta dhe prezantuesi Besim Dina do të jenë fytyrat televizive të kësaj ngjarje të rëndësishme. Pas tyre do të prezantojnë edhe Edona Kasapolli, Edona Reshitaj, Anjeza Shahini e shumë emra të tjerë të televizionit dhe botës artistike.
‘Post – Festivali’, panelet që ballafaqojnë opinionet për ngjarjen
Pas programit qendror, në dy netët e para të festivalit do të transmetohet edhe ‘post-festivali’, i cili nën udhëheqjen e Alketa Gashi Fazliut do të ballafaqojë mendimet për këngëtarët, paraqitjet skenike dhe të çdo detaji tjetër në formën e panelit. Ndërkaq, një maratonë televizive prej katër orësh do të transmetohet të dielën më 29 tetor, ku do të komentohet gjithçka një ditë pas shpalljes së fituesit/es së festivalit.
‘Kosova që shkëlqen’, për fituesin e edicionit të parë të Festivalit të Këngës
Ndërkaq fituesi/ja i/e edicionit të parë do të marrë një kupë, e cila ka simbolikën e ‘Kosovës që shkëlqen’. Gjithashtu do të shoqërohet me një medaljon, e që sipas asaj që ka bërë të ditur Krasta, është një shqiponjë e flamurit të shqiptarëve që ka 500 diamante.
Juria që do të vlerësojë këngëtarët dhe prurjet e tyre artistike në këtë garë përbëhet nga kryetarja Alma Bektashi, anëtarja që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj.
‘Euro Song’ dhe EBU të lumtur që Kosova ka Festivalin e Këngës
Edicioni i parë i Festivalit të Këngës ka marrë përkrahjen pozitive nga “Euro Song” dhe nga rrjeti evropian i transmetuesve publik (The European Broadcasting Union (EBU).
“Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta në konferencën e së hënës.
Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së përkrahin Festivalin
Përkrahje pozitive ndaj këtij organizimi ka shprehur që nga fillimi edhe menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së. Ambientetet ku do të mbahet festivali janë vizituar nga Bordi i RTK-së, nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla. Dje në sallën ku po vazhdonin punimet ka qenë prezentë kryetari i Bordit, Besnik Boletini me anëtarë të tjerë, prej ku është shprehur i kënaqur me procesin.
“Në këtë sallë kur kam qenë për herë të parë me Adin, ka qenë një gjendje tepër e keqe, por kemi qenë të bindur se kjo sallë do të bëhet. Tani kjo sallë është bërë e mrekullueshme. Ka qenë qëllim primar që festivali të mbahet në qendër të qytetit. I gjithë ky projekt ka pasur sfida të shumta që nga fillimi, por të cilat janë tejkaluar bashkarisht, që nga sigurimi i mjeteve financiare, krijimi i rregullativës ligjore e deri të çështjet tjera organizative”, ka thënë Boletini.
Të rikujtojmë se netët e festivalit që do të mbahen në datat 26, 27 dhe 28 tetor, do të transmetohen në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut. / rtk / KultPlus.com