Sonte nis edicioni i 6-të i “ZA Fest” në Shkodër

28 Korrik, 2022 - 7:30 pm

ZA Fest, një krijim artistik i kantautorit Vlashent Sata, vjen sot në edicionin e tij të gjashtë, që do të mbahet në qytetin artdashës të Shkodrës.

ZA Fest, i cili ka marrë mbështetjen e një sërë ambasadash të huaja në Tiranë, të Bashkisë Shkodër e cila është në rolin e mikpritëses, si dhe të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të sjellë artistë shqiptarë e të huaj, të cilët do të performojnë përgjatë 3 netëve.

Sonte festivali do të zhvillohet në oborrin e Dr. Shirokës, në një shtëpi karakteristike shkodrane, ku do të performojnë Jeton Neziraj, Erenik Beqiri, Arben Bajraktaraj e Linda Rukaj.

Vetë drejtori artistik i ketij eventi, Vlashent Sata, do të performojë natën e dytë, gjatë së cilës publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një tjetër emër të mirënjohur që përfaqëson muzikën shqiptare edhe përtej kufijve, Elina Duni. Ndërsa natën e tretë përveç artistëve nga Italia e Spanja, do të jetë dhe i mirënjohuri Jericho nga Kosova.

ZA Fest me misionin e tij kryesor, promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës, më herët është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafatit.

Festivali mund të ndiqet falas për fëmijët deri në 12 vjeç si dhe për të rriturit mbi 65./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme