Sopranoja Adelina Paloja sjellë ‘Jehona të Përjetshme’ në hapje të edicionit të shtatë të PriVocal Fest

15 Tetor, 2024 - 12:50 pm

Vjollca Duraku
Foto: Adi Beqiri

Mbrëmë, sopranoja e njohur Adelina Paloja solli koncertin e saj recital “Eternal Echoes” në hapje të edicionit të shtatë të Prishtina International Vocal Festival, nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula- Kasapolli dhe Kuartetit Harkor “AMATI”.

Rreth orës 19:00, koncerti grumbulloi familjarë të solistes Paloja, miq, dhe artdashës në përgjithësi në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, të cilët pak para koncertit me kënaqësi shfletonin programin i cili përmbante 12 vepra të kombinuara me kompozitorë shqiptarë dhe botërorë.

Dritat u fikën, dhe për njëfarë kohe në sallë dominonte ngjyra vjollcë. Kjo ngjyrë përshtatej bukur me mbrëmjen “Jehona të Përjetshme” të artistes Adelina Paloja, pasi në botën e ngjyrave vjollca simbolizon shpirtëroren, mendimin e thellë, lluksin, prestigjin dhe elitën.

Kurse shkëlqimi i vërtetë skenës iu dha qysh me paraqitjen e parë të solistjes Adelina Paloja, nga shpirti i saj rrezatues, që shpesh herë paraqet një dashuri të madhe, të pastër me frekuenca engjëllore. Këtë aurë të saj e kompletonte fustani i argjendtë, i mbështjellë me një pelerinë vezulluese.

Koncerti filloi me interpretimin e veprave nga repertori rus, me atë të Sergei Rachmanioff- Polybila ya na pechal svoyu op. 8,no.4 Zdes Khorosho op. 21, no.7 për të vazhduar më pas me Antonín Dvořák- Měsíčku na nebi hlumbokem (Rusalka’A Aria from opera ‘Rusalka’). Interpretimi i këtyre veprave paraqiste kapacitetin artistik të artistes Paloja, dhe vokalin e saj që herë pas here shpërthente në kristale tingujsh.

Kurse, vepra e kompozitorit Léo Delibes Les filles de cadix The maids of cadiz- poésie d’ Alfred de Musset tërhoqi vëmendjen nga një vibrim i bukur i notave muzikore, që përcillej nga lëvizje skenike prej një profesionisteje. Ky koncert nuk do të kishte këtë peshë artistike po qe se do të mungonin perlat e kompozitorëve shqiptarë si Nikolla Zoraqi-Mall’ dashurie, Halit Kasapolli-Bash zemani (arr Hajrullah Syla), Avni Mula-Shqipëri o vendi im (arr.Genc Tukiqi), Agimet shqiptare, Feim Ibrahimi- Rrjedh në këngë e ligjërime (arr. Genc Tukiqi).

Ishte vepra e Johannes Brahms- 16 Waltez op.39, no.3,4 e cila u interpretua vetëm nga pianistja Lirika Pula Kasapolli, e cila sillte në pah përgatitjen e pianistes, që i dha koncertit finesë dhe virtuozitet. Kurse vepra e Astor Piazzolla- S.V.P Tango nga harmonia grupore e Kuartetit Harkor “Amati” i dha koncertit një shije të veçantë.

Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e parë të PriVocalFest, i cili këtë vit vjen me një mision të veçantë, duke e përdorur fuqnë e artit në mbështetje të ndërgjegjësimit për Koncerin e gjirit, ishin nga kompozitorët: Giacomo Puccini- Chi il bel sogno di doretta (Magda’s aria from opera ‘La Rondine)’, Francesco Cilea- Ecco: Respiro Appena…Io son l’lumile ancella (Adriana’s Aria from opera Adriana Lecouvreur dhe Augustin Lára-Granada.

Pas përfundimit të këtij koncerti me 12 vepra sfiduese nga kompozitorë vendorë e botëror, në një prononcim për KultPlus sopranoja Adelina Paloja tha se ndihej e plotësuar.

“Jam e përmbushur. Jam një muziktare e cila përherë kërkon më tepër nga vetvetja, jam kërkuese dhe nuk kënaqem lehtë. Kur e kam përpiluar këtë koncert recital kam përzgjedhur këto vepra solistike, që në repertorin për soprano secila prej tyre njihen që janë më të vështirat. Në mesin e tyre janë pesë apo gjashtë gjuhë me të cilat kam interpretuar, rrjedhimisht janë edhe pesë apo gjashtë kultura të ndryshme. Janë histori të ndryshme, ku secila të ngërthen në vete, me të cilat ti duhet të mishërohesh”, ka thënë sopranoja Paloja.

Më tej, sopranoja Paloja ka thënë se duartrokitjet e publikut të cilat i mori në këtë mbrëmje do t’i shërbejnë si motiv për të dhënë edhe më shumë nga kapaciteti i saj artistik edhe në të ardhmen.

“Ka qenë një punë jo e lehtë, pa modesti. Por jam shumë e lumtur që mendoj se ja dola mbarë, të cilën gjë e konfirmuan ndoshta edhe duartroktitjet e publikut tim. Të them të drejtën më kishte marrë malli që të kthehem me një koncert recital, andaj mora shumë nga kjo dashuri dhe mendoj që do të jetë motivi, refreni i cili do të më mbajë përgjatë muajve të ardhshëm, në përgatitjet e mija për të tjera angazhime”, ka thënë artistja Paloja.

Kurse, pianistja Lirika Pula Kasapolli ka thënë se bashkëprezantimi me sopranon Adelina Paloja për të paraqet gjithmonë kënaqësi.

“Është hera e dytë që ne realizojmë një recital bashkë. Hera e parë ka qenë para katër vitesh gjate pandemisë, kur koncerti është realizuar në formë të mbyllur. Kështu që sot për herën e dytë bashkëprezantimi ishte akoma më i thjeshtë. Është gjithmonë shumë kënaqësi të punosh  me muzikantë që janë të formuar, me ide dhe forma muzikore gjithmonë shumë të qarta sa i përketë frazimeve, këndimit dhe shumë të përgatitur. Kështu që është gjithmonë kënaqësi për mua”, ka thënë pianistja Pula- Kasapolli.

Ndërkaq, drejtori i Festivalit Pishtina Internationa Vocal Festival, Hajrullah Syla tha se ndihej i lumtur që programi të cilin e kishte përzgjedhur së bashku me sopranon Paloja u pëlqye nga puliku dhe se gjithçka shkoi mbarë.   

“Programi i natës së sotme ishte mjaft mirë i realizuar. Përmes duartrokitjeve u pa që publiku ishte shumë i kënaqur me performancën. Kjo ishte nata e parë po shpresoj që edhe vazhdimi do të jetë ashtu siç edhe e kemi përgatitur” ka thënë drejtori artistik duke  bërë të ditur se të gjitha koncertet pasuese janë të veçanta në llojin e vet.

“Këtë vit për herë të parë po mbahet masterclass-i për këngëtarët e rinj, me studentë kryesisht që janë nga Fakulteti i Arteve, të cilët kanë rastin që të punojnë me maestro Raul Gimenez, një vocal koach shumë i rëndësishëm. Po besoj që janë duke u kënaqur shumë sepse po e shoh gjatë masterclassit që janë duke e shijuar shumë. Zakonisht kemi pasur garën për kompozitor dhe këtë vit kemi vendosur që të kemi masterclass. Në vitet në vijim do të kemi një vit garën për kompozitor dhe në vitin tjetër masterclassin me profersorë të ndryshëm të cilët do të arrijmë t’i sjellim këtu”, ka përfunduar drejtori Syla.

Ndërsa, prezantueset e festivalit Dea Xhemaili dhe Lirdina Kukaj kanë njoftuar se këtë edicion PriVocal Fest ka vendosur të përdor zërat, muzikën, dhe fuqinë e artit në mbështetje për të rritur ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit.

“PRIVOCALFEST tash e shtatë vite me radhë mbetet një ngjarje e veçantë që krijon një platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke ndarë zërat e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocionet me muzikën; duke zgjeruar horizontet, për të arritur nëpër kufijtë e muzikës dhe për të promovuar artistët e rinj dhe kulturën në mënyra të reja dhe inovative. PrIVocalFest është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik”.

“PriVocalFest” në edicionin e shtatë përmbanë pesë mbrëmje artistike dhe zhillohet në datat 14- 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Koncerti i radhës do të prezantojë një mbrëmje shumë të veçantë, “Opera Night”, më 16 tetor, në ora 19:00./ KultPlus.com  

Të ngjajshme