Sopranoja Besa Llugiqi me paraqitje të radhës në Sofje të Bullgarisë, do të shoqërohet nga Filharmonia e Sofjes

12 Prill, 2023 - 10:26 pm

Sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi të enjten do të paraqitet para publikut të Sofjes së Bullgarisë, dhe në këtë paraqitje të saj si soliste ajo do të ngjitet në skenë nën përcjelljen e Filharmonisë së Sofjes e nën dirigjimin e mjeshtrit, njëherit edhe ministër i Ministrisë së Kulturës në Bullgari, Nayden Todorov, shkruan KultPlus.

Sopranoja Llugiqi ka thënë për KultPlus se këtë paraqitje e vlerëson tejet me rëndësi të madhe, pasi që në këtë mbrëmje do të paraqitet fillimisht violinistja me famë botërore Francesca Dego, e cila do të paraqitet me vepra të Beethoven, e pas kësaj paraqitje, në skenën operistike do të ngjiten solistët: soprano Besa Llugiqi, mezzo soprano Violetta Radomirska nga Bullgaria,  tenori Emil Pavlov poashtu nga Bullgaria dhe  Strahinja Djokic nga Serbia.

“Është një përjetim që nuk ndodhë shpesh, por është një ndër përjetimet e rralla që mund të ofrojnë këto paraqitje skenike. Do të interpretoj sërish me këtë orkestër e rrethuar me artistë të jashtëzakonshëm, pastaj është salla e teatrit të Sofjes që të jep një ndjesi të rrallë, është magjike, dhe magjia më e madhe e kësaj mbrëmje është se kjo paraqitje do të udhëhiqet nga mjeshtëri Nayden, i cili  reflekton siguri në skenë, një ndjenjë që nuk përjetohet shpesh”, ka thënë Llugiqi.

Sopranoja Llugiqi bashkë me solistët e tjerë në këtë mbrëmje do të paraqiten me Requiemi i Mozart, kryevepër kjo e Mozartit. “Vepër kjo që gjithmonë vjen bukur dhe madhështore, dhe që sjell një emocion shumë të madh edhe tek ne në skenë, por edhe te publiku”, ka thënë për fund Llugiqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme