Sopranoja Blerta Zhegu dhe pianisti Frederic Isoletta, yjet që ndriçojnë skenën e Universitetit të Arteve në Tiranë

20 Tetor, 2017 - 6:07 pm

Erjola Azizolli

Salla e Universitetit të Arteve në kryeqytet ka qenë ndalesa e radhës e organizimit “Takimet muzikore të Dy Botëve”, rrugëtim i cili këtë vit nisi në Dropullin e traditave, për të vijuar në Shkodrën e vlerave, në këtë edicion të XI që do të përmbyllet në fund të këtij muaji në Tiranë.

Pakëz aromë parisiene mes aries dhe pianos është bashkuar mbrëmjen e djeshme në një natë emocionuese që ka mbajtur të mbërthyer publikun kryeqytetas në mjediset e Universitetit të Arteve. Nata e tretë e Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” nuk kishte si mos ti kushtohej operës dhe pianos, që erdhi natyrshëm mes një emri të njohur si soprano Blerta Zhegu dhe pianistit francez Frederic Isoletta, të cilët sollën për publikun koncertin e titulluar “Aromë Parisi”.

Gjithçka e realizuar mes Aleancës Franceze në Tiranë dhe Organizatës “Argjiro” mundësuan interpretimin e sopranos Zhegu, një yll në ngjitje në skenat franceze dhe Frederic Isoletta, pianist e organist francez, me një karriere të dendur po në skenat franceze e evropiane, pjesëmarrës në shumë festivale si ai i Aix en Proncence etj.
Repertori i tyre ka përmbajtur ariet më të famshme të kompozitorëve francezë si: Air de Marie, “La fille du régiment “, Gaetano Donizetti, Air de Anne Trulove “The rake’s progress” Igor Stravinsky, Prelude and Nocturne for the Left Hand, Op.9, Aleksandr Scriabin, Je veux vivre, « Romeo et Juliette”, Charles Gounod, Air de Manon “Manon” Jules Massenet, “Jardins sur la pluie” Claude Debussy “Nuit d’étoilés”, Claude Debussy “Clair de lune”, Gabriel Fauré” 5 Mélodies grecques”, Maurice Ravel.

“Qëllimi i Festivalit në 10 vjet të ekzistencës ka qenë promovimi i trashëgimisë materiale dhe jomateriale shqiptare dhe asaj të evropiane, po edhe ndërtimi i urave të dialogut kulturor mes popujve, ndërgjegjësimi i opinionit publik për mbrojtjen dhe transmetimin e kulturave të ndryshme si pjesë e trashëgimisë kulturore, rivitalizimi i qendrave historike nëpërmjet eventeve periodike muzikore” bëri me dije për KultPlus, Ilda Marra.
“Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara” vazhdoi drejtuesja e organizatës “Argjiro”- Ilda Mara.

“Takimet Muzikore të Dy Botëve” këtë vit nisi me koncertin “Ngjyra Muzikore nga Greqia” që u zhvillua pranë Qendrës Kulturore të Dervicianit në Dropull. Tingujt dhe tradita muzikore greke u përcoll nga dy artistë të njohur greke Nantia Patera dhe Dimitris Llapas. Një ndërthurje e jazzit klasik me traditën e buzukut mbushi me emocioni mbrëmjen në Dropull. Nantia dhe Dimitri për më shumë se një orë bënë një udhëtim në universin muzikor të kompozitorëve të famshëm grekë.

Nata e dytë e festivalit bashkoi traditën me klasiken dhe u mbajt në Shkodër në Teatrin “Migjeni”. Këtë radhë përballja e muzikës tradicionale shkodrane dhe muzikës klasike sollën një atmosferë të veçantë në skenën mitike të Shkodrës. Artistë të trupës të teatrit “Migjeni” interpretuan për publikun këngë qytetare shkodrane, ndërsa më pas orkestra e Klubit të Artit të “Sigalit” në drejtimin e Ermir Dizdarit sollën traditën operistike shqiptare e më pas atë evropiane.

Por, surprizat e këtij edicioni duket se nuk kanë fund. Nata e katërt e këtij festivali do të takojë tradita me klasiken. Një duo piano dhe violinë, do të bashkojë në natën finale të festivalit pianisten shqiptare Silva Skenderi dhe violinistin Miran Begiç në Tiranë në fund të muajit. / KultPlus.com

Të ngjajshme