Sopranoja Jeta Çitaku mbrëmë me koncert recital, solli si mesazh reflektimin e paqes së artistit

31 Janar, 2024 - 12:47 pm

Vjollca Duraku
Fotografitë: Arben Llapashtica

Sopranoja Jeta Çitaku, të martën mbrëma, u paraqit para audiencës me një koncert recital me vepra botërore kryesisht, që erdh si një përmbledhje e punës së saj të madhe ndër vite, koncert ky që në sytë e publikut e ngriti sopranon në tjetër nivel, shkruan KultPlus.

Ambienti i errët ku dominonte ngjyra e zezë, vende-vende e përzier edhe nga ngjyra e kuqe, i jepte ngjarjes një ton më serioz qysh në hyrje të sallës koncertale, që këtë herë ishte improvizuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Artistë, kolegë, familjarë e artdashës në përgjithësi, me padurim po e prisnin fillimin e koncertit të sopranos Çitaku e cila pas pak u paraqit në skenë së bashku me pianistin Misbah Kaçamaku. Ndërsa, skenës me dukje shumë serioze deri atëherë i ishin shtuar edhe dritat me ngjyrë të bardhë, mirëpo shkëlqimin ia dha vetëm aura e sopranos Çitaku e cila të veshur pati një fustan vezullues të bardhë.

“Ma rendi pur contento” e Vincenzo Bellinit  ishte vepra me të cilën filloi koncerti recital, nën përcjelljen e tingujve jo shumë të lartë të pianos. Ndërsa zëri i saj ishte ai që audiencën e vendosi në frekuenca qetësie, që me vëmendje ndiqnin çdo detaj të performancës.

Kurse interpretimi i veprës “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula, ishte një pikë interpretuese që sopranoja Çitaku e ndjeu më ndryshe, me më shumë emocione, këto të cilat shumë lehtë u transmetuan edhe te publiku.

Pjesë e këtij koncerti ishte edhe maestro Josif Gjipali i cili po ashtu para publikut u paraqit me disa nga veprat e të kompozitorëve më të njohur botëror. “Brindisi”, e Guiseppe Verdit e cila erdh si pikë interpretuese duo mes sopranos Çitaku dhe tenorit Josif Gjipali ishte një kombinim perfekt për të cilën pati gjithashtu shumë reagim nga ana e publikut.

Pjesë e programit të këtij koncerti ishin veprat: “Malinconia”, “Ninfa Gentile”, “Quando verra quel di” të Vincenzo Bellinit, “Porgi amor” nga Wolfgang Mozart, “Agimet Shqiptare” të Avni Mulës, “Tu che di gel sei cinta” “Nessun Dorma”, “Vissi d’arte” të Giacomo Puccini, “Parigi o cara”, “Brindisi”, “Timor di me…d’ amor sullali rose”, “Ave maria piena di grazia” të Giuseppe  Verdit, dhe “Pouruquoi me reveille” të Jules Massenet.

Krejt në fund të koncertit në një prononcim për KultPlus, tenori Gjipali u shpreh shumë i lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti, sipas tij me një program të kompletuar, që i prek të gjitha fazat e një këngëtari që do të rritet.

“Ishte vërtetë një kënaqësi që isha sonte në këtë koncert, por një kënaqësi e vërtetë, jo një batutë shabllon nga ato që thuhen gjithmonë. Kisha vërtetë emocion për të parë progresin e Jetës, dhe vërtetë ngela shumë i kënaqur dhe shumë i emocionuar nga performanca e saj. Ishte vërtetë një kënaqësi”, ka thënë tenori Gjipali.

Ndërsa sopranoja Jeta Çitaku, nën ndikimin e emocioneve të shumta, tha se ndihej e nderuar nga reagimet e publikut, të cilët i dhanë mesazhin për punën e madhe që ajo kishte realizuar.

“Jam shumë e lumtur, shumë e nderuar që koncerti u mirëprit me duartrokitje dhe ovacione të ngrohta, kur artisti shpalos punën, artin, botën shpirtërore, mendoj që publiku e mirëpret, e ndien të bashkëngjitet në gjithë momentet që t’i po jeton në skenë”, ka thënë sopranoja Çitaku.

Ajo më tutje shtoi se përmbajtja e këtij koncerti si mesazh specifik pati reflektimin e paqes së artistit.

“Çdo koncert është moment feste, është moment reflektimi i punës. Sigurisht arti vet, substanca, përmbajtja e tij është të reflektojë paqe të bëj njerëzit shpirtërisht të jenë të përmbushur dhe për ca momente të jetojnë në një magji tingujsh, të ikin nga realiteti që shpesh di të jetë jo i lehtë dhe i zymtë, sidomos ku ne jemi”, ka thënë  sopranoja.

Përzgjedhja e programit sipas sopranos ishte bërë në bashkëpunim me profesorin Josif Gjipali, me të cilin gjatë rritjes së saj si artiste kishte bashkëpunuar vazhdimisht.

“Programi është përzgjedhur me kujdes, unë vazhdimisht jam konsultuar me profesorin Gjipali. Maestro Gjipalit ka vite që zërin ia kam besuar në kuptimin e trajtimit ngaqë është një nga profesionet më delikate, andaj nuk rresht asnjëherë së kërkuari dhe kur jemi te kërkimi na duhet gjithmonë një vesh i dytë, një vesh muzikor i cili ka kaluar në skenat më të mëdha evropiane e më gjerë, dhe për mua është nder që sonte koncertoi për publikun e Prishtinës dhe koncertuam së bashku po ashtu”, ka thënë më tej  sopranoja Çitaku duke paralajmëruar edhe projekte të tjera të radhës./ KultPlus.com

Të ngjajshme