Sopranoja Marigona Qerkezi do të shënoj hapjen e teatrove italiane, e konsideron moment historik

31 Gusht, 2020 - 2:27 pm

Skenat e mëdha të teatrove kanë marrë përherë një dyfishim të madhështisë dhe elegancës, kur brenda tyre me zërin e saj të magjishëm ka interpretuar sopranoja kosovare, Marigona Qerkezi. Këtë herë sopranoja do të debutoj brenda teatrit prestigjioz Fondazione Teatro Petruzzelli di Bari me operan “L’Elisir d’amore”, shkruan KultPlus.

Vendi i artit, kulturës po dhe figurave të mëdha që ka lënë gjurmë në historinë e artit, që nga fillimi i pandemisë që kishte kapluar tashmë pothuajse të gjithë botën, kishte mbyllur teatrot, muzetë e kinematë, duke lënë kështu për një kohë të gjatë të mbyllura edhe ndjenjat e bukura dhe emocionet që sillnin këto vende.

Mirëpo për herë të parë që nga kjo kohë, tashmë Italia në shtator të këtij viti do të hap dyert e teatrit Fondazione Teatro Petruzzelli di Bari. Skena e këtij teatri do të hapet me operan “L’Elisir d’amore”, e nën tingujt e zërit të sopranos kosovare Marigona Qerkezi.

Në një intervistë për KultPlus, Qerkezi ka treguar për eksperiencën e saj gjatë periudhës së pandemisë. Sipas saj ndonëse po përballej me një izolim fizik ajo kishte realizuar performanca dhe projekte virtuale.

“Gjatë kësaj kohe pavarësisht izolimit fizik, unë isha aktive me performancat virtuale dhe me plot intervista në mediat ndërkombëtare, natyrisht në formën elektronike. Ndër tjerash, kemi realizuar një projekt ‘virtual’ në bashkëpunim me disa kolegë nga vende të ndryshme të botës, të gjithë artist të botës operistike e që do transmetohet në Rai 5 – Rai Classica”, ka thënë sopranoja.

Fotografia: Arben Llapashtica

Duke e konsideruar si një moment dhe event historik, Marigona Qerkezi ra rrëfyer edhe për rëndësinë që ka debutimi i saj në teatrin “L’elisir d’amore”. Ajo rolin e Adinës e ka konsideruar të mbushur me përplot risi dhe ngjyra që ngjallin edhe interesim më të madh tek publiku.

“Teatri Petruzzelli di Bari rikthen audiencën me vënien në skenë të operës ‘L’elisir d’amore’të kompozitorit Italian Gaetano Donizetti , ku unë e interpretoj rolin kryesor: Adina. Adina për mua është një rol plot ngjyra dhe risi , shquhet për momente provokuese që zgjojnë entuziazëm tek interpretimi dhe publiku”, ka thënë tutje ajo.

Sopranoja kosovare ka shtuar se ndonëse ka mbetur edhe pak ditë deri në shfaqjen e operës dhe provat tashmë janë në kulmin e intensitetit të tyre, ajo po e pret me padurim shfaqjen e kësaj opere përballë publikut.

Qerkezi ka thënë se emocionet e interpretimit të Adinës janë të dyfishta sepse kjo është shfaqja e parë që jepet për publikun që nga fillimi i pandemisë.

“Ky është teatri i parë Italian që vë në skenë teatrale një opera në formë të kompletuar  qysh pas shpërthimit të pandemisë, izolimit dhe mbylljes së institucioneve kulturore në botë. Padyshim që emocioni është i dyfishtë për mua, e ashtu besoj edhe për publikun i cili po pret çdo ditë në radhë për të marrë biletat’’ ka shtuar Qerkezi.

Duke qenë se është shfaqja e parë teatrale për sopranon por edhe për artin italian qysh nga fillimi i pandemisë, sopranoja ka thënë se kujdesi për interpretimin e kësaj shfaqjeje ka qenë më i madh e në të njëjtën kohë mjaft sfidues.

Ajo është shprehur se çdo sukses të sajin e konsideron kurorëzim të punës së saj dhe investimit të përhershëm që ajo bënë në vetvete.

“Kam natyrën dhe personalitetin e tillë që punoj dhe investoj shumë në vetveten dhe profesionin tim, në mënyrë që hap pas hapi të arrij aty ku dua. Si rezultat i kësaj, çdo sukses që vjen e konsideroj si kurorëzim të punës, e në të njëjtën kohë i falënderohem Zotit që më ka bekuar me dhuntinë dhe me familjen e cila më mbështet dhe përkrah ne çdo aspekt. Sa i përket aktiviteteve, shumë shpejt do të shpalos projekte të reja në arenën ndërkombëtare”, është shprehur ajo.

Ndonëse pandemia e kishte gjetur në Kosovë për një kohë më të gjatë sesa kishte menduar, sopranoja këtë periudhë e ka konsideruar si një pikë nga e cila jetën kishte filluar ta shikonte nga një këndvështrim tjetër dhe t’i vlerësonte më shumë të mirat e saj.

Krejt në fund ajo ka shtuar se ka disa vite që nuk ka ndonjë të re sa i përket angazhimit të saj të mundshëm në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme