Sopranoja Marigona Qerkezi prezanton koncert në kuadër të Operës së Kosovës

24 Nëntor, 2024 - 9:06 pm

Sopranoja e skenave prestigjioze botërore, Marigona Qerkezi, do të paraqitet para publikut të vendit me një koncert të jashtëzakonshëm, të organizuar nga Opera e Kosovës, shkruan KultPlus.

E cilësuar si një ndër sopranot më të njohura tashmë edhe për skenat operistike botërore, Marigona Qerkezi ka fituar duartrokitjet e publikut në teatro prestigjioze si Teatro La Fenice (Venecia), Gran Teatre del Liceu (Barcelonë), Dubai Opera House, Royal Opera House Muscat, Opera Royal de Wallonie Liège, New National Theater (Tokyo), Palm Beach Opera, Opera Royal de Wallonie Liège, Teatro Lirico di Cagliari, Deutsche Oper am Rhein Düsseldorf etj.

Me një repertor të pasur, ajo ka sjellë në jetë role të jashtëzakonshme si Anna Bolena, Norma, dhe Aida, duke dëshmuar mjeshtërinë e saj artistike. Nominuar si “Yll në Rritje” nga The International Opera Awards dhe vlerësuar nga OperaWire si një nga “Top Rising Stars” në vitin 2023, Marigona është një nga krenaritë shqiptare në botën e operës.

Më 10 Dhjetor 2024, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në skenë do të ngjiten tenori i famshëm ndërkombëtar Saimir Pirgu edhe sopranoja Marigona Qerkezi për të dhuruar një mbrëmje te paharrueshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme