Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, feston sot ditëlindjen

18 Korrik, 2019 - 2:48 pm

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare e cila ka ‘pushtuar’ skenat e njohura botërore, sot feston ditëlindjen, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho  lindi në Tiranë, në vitin 1974, por u largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skenë, përkrah artistëve të huaj.

Pas përfundimit të studimeve për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme, të tilla si: Giacomo Puçini në Milano Itali më 1997, Spontini International Ancona, Itali më 1998, në Rovereto Zandonai, Itali më 1999, këngëtarja më e mirë e Festivalin Wexford më 2000 etj.

Ermonela Jaho filloi ta mësojë këngën në moshën 6 vjeçare. Pas diplomimit nga Liceu Artistik Jordan Misja, në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademine e Arteve po në Tiranë. Ajo fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës. Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë.

Jaho fillon të interpretojë në skenë në Bolonja, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Dalja e saj e parë në skenë jashtë Italisë ishte në festivalin e Weksfordit në Irlandë, ku këndoi operën Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit. Në Gjermani, ajo shfaqet me rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih. Më pas ajo interpreton përsëri Suzanën në Gjenevë dhe në Francë, në teatrin Kapitol të Tuluzës. Në Shtetet e Bashkuara, ajo paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liù (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris.

Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thaïs (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit. Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden.

Tutje, Ermonela vazhdoi pa ndalur me role të reja e me interpretime në skenat më të mëdha botërore ku vazhdon edhe sot të mahnis publikin dhe kritikët më të mirë të artit.

Ermonela Jaho ka fituar edhe një sërë konkursesh ndërkombëtare si: Giacomo Puccini në Milano, Spontini në Ankona, Zandonai në Rovereto, Çmimi i artistit më të mirë lirik në Festivalin e Weksfordit e të tjerë.

Sot në ditëlindjen e saj, KultPlus ju sjell disa fotografi dhe video nga interpretimet e saj.  / KultPlus.com

Të ngjajshme