15 Korrik, 2020 - 9:24 pm
Qendrim Badalli
Urta Haziraj është një nga talentet më të mëdha që ka Fakulteti i Arteve në drejtimin e muzikës klasike. Pavarësisht se ende e re në moshë, ajo ka realizuar disa koncerte teksa ka mbajtur masterklasa me emrat më eminent të muzikës klasike vendore dhe ndërkombëtare. Se kemi të bëjmë më një të re shumë të talentuar, këtë e dëshmon edhe pranimi i saj për studime në Firence, si një nga qendra më të famshme të muzikës klasike, pranim ky që më pas kishte ndërlikimet e veta.
Në këtë intervistë për KultPlus, sopranoja Urta Haziraj, flet për lidhjen e saj të hershme me muzikën, për pranimin e saj në Firence, për koncertet që ka mbajtur, për mbështetësitë e saj në këtë rrugëtim, për sfidat me të cilat përballet e deri tek synimet që ka për të ardhmen.
Haziraj fillon intervistën për KultPlus duke treguar momentet kyqe që kanë ndikuar që ajo të merret me solokëndim, momente që përfshijnë babin e saj e kinematografinë:
“Gjithmonë jam rrethuar nga arti e muzika. Babi ka qenë nismëtar i këndimit para se unë të vija në jetë, ai ka kënduar në shtëpinë e kulturës në fshatin ku unë jam rritur, në Runik para viteve 1998-99. Për shkak të luftës dhe mos mundësisë së vazhdimit të studimeve të këndimit ai ma la ëndrrën, pasionin, e të kënduarit e bukur mua. Për të veçuar në saktësi njohjen e parë me muzikën operistike duhet me doemos përmendur edhe kinematografinë sepse përmes saj e njoha operan. Filmi “Mr. Bean’s Holiday” dhe skena e këndimit të arias “O mio babbino caro” më bëri që të tentoj të këndoj muzikë klasike për herë të parë dhe aty kuptova që dua të këndoj e të jem pjesë e skenës. Nga momenti që kam njohur talentin tim të të kënduarit nuk kam reshtur se kërkuari që edhe ta studioj atë. Në vitin 2015 fillova mësimet në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë në klasën e solokëndimit me profesoreshe Elife Podvorica Jashari të cilën do e falënderoj gjithmonë për mësimet e para të këndimit dhe mbështetjen e pareshtur për të vazhduar tutje”
Nga familja jo vetëm që kishte marrë inspirimin për drejtimin që do ta zgjedhte, por po ashtu edhe një mbështetje për t’i vazhduar studimet:
“Përpos profesoreshes sime të parë mbështetësit me të mëdhenj që unë të vazhdoj studimet e këndimit në nivele edhe me të larta se shkollimi i mesëm normalisht që është familja ime”.
Fillimet e studimeve për Hazirajn do të ishin pothuajse dramatike. Ajo fillimisht u pranua për studimet në Firence, madje u rradhit e para në listë por më pas pati një pengesë burokratike. Ajo tregon edhe për këtë moment:
“Pas përfundimit të shkollës së mesme vendosa të aplikoj në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e solokëndimit dhe në Konzervatoriumin “Luigi Cherubini” në Firenze të Italisë në drejtimin “Canto Rinascimentale e Barocco” (Kendim Barokien e Renesance) dhe rezultova që në të dy fakultetet të radhitesha e para në listën e të pranuarve. Në Prishtinë me kandidate nga Kosova e në Firenze me kandidate nga shumë vende të botës. I gjithë gëzimi i pranimit dhe mundësisë së jashtëzakonshme për studim jashtë vendit u rrënua nga çështja burokratike e refuzimit te vizës studentore nga Ambasada Italiane në Prishtinë”.
Pasi mundësia për studime jashtë shtetit u ndal pavarësisht se ishte aq afër, Urta Haziraj iu kthye Universitetit të Prishtinës:
“Pas shume përpjekjeve në kërkim të vulosjes së vizës studentore në pasaportën time nuk arrita të bëj asgjë për këtë çështje dhe vendosa të vazhdoj studimet në Prishtinë. Tani jam studente në klasën e profesoreshe Sanije Matoshit të cilën e falënderoj shumë së pari për mirëkuptimin e saj mbi çështjen e mos arritjes time për vazhdim të studimeve në Firenze dhe punën shumë të madhe me mua gjatë tërë vitit Akademik 2019/20”.
Tutje, Haziraj, flet për koncertet që ka realizuar. Përmend specifikisht koncertin e dhjetorit më 2017,thotë se ishte me shumë publik e shumë duartrokitje:
“Koncertet në Kosovë gjatë shkollës së mesme e tutje janë të shumta por dua të veçoj koncertin tim të parë solistik të mbajtur me 18 Dhjetor të vitit 2017. Koncert me shumë publik e me shumë duartrokitje. Emocionet në atë koncert i kam lënë në notën e parë që e kam kënduar dhe kam shijuar në pafundësi performimin e veprave muzikore. Koncerte të tjera ku unë kam performuar janë: “Opera Night” në Masterklasin e mbajtur nga sopranoja Caroline Isabel Merz me rolet: Serse, Cherubino e Frank, isha pjesë e operetas “The Gondoliers” në rolin e Fiammetas, soliste në korin e shfaqjes “A Midsummer Nights’ Dream” e udhëhequr nga profesor Andreë Garrord dhe së fundmi për nder të 50 Vjetorit të Universitetit të Prishtinës performova rolin e Despinas. Në skenë transformohem bazuar në rolin që performoj por gjithmonë kërkoj të ndaj pozitivitet e urtësi për publikun sepse të dyja këto përkojnë shumë me karakterin tim”
Që të jesh një artiste e kompletuar lypset të kesh njohuri të përgjithshme. Sopranoja Urta Haziraj njeh mirë letërsinë e kinematografinë, përmend Kafkën e regjisorin Bergman:
“Këndimi operistik dhe opera në përgjithësi njihet si gërshetim i shumë arteve të ndryshme dhe njohja e tyre e përforcon një performin të denjë e të kompletuar. Letërsia, filmi, piktura janë vetëm pak nga çka unë pëlqej të njoh. Në letërsi me duhet përmende të preferuarit e mi, shkrimtare të mëdhenjë si Sylvia Plath, Simone de Beauvoir, Franz Kafka, nga filmi regjisorin Ingmar Bergman, David Lynch, Hitchcock e Kiesloëski, nga piktura punimet e Valentin Gubatev e Monet”.
Haziraj flet shkurt edhe për fshatin e saj të lindjes:
“Dashuria për muzikë e art rrjedh edhe nga vendi nga vij. Përpos natyrës e energjisë plot jetë që Runiku jep ka edhe mjaftueshëm material historik, si gjetja e instrumentit të okarinës nën gërmadhat e fshatit tim e shtëpia e kulturës që fatmirësisht ka hyrë si pjesë monumentale e Kosovës“.
Ajo tutje përmend edhe sfidat më të cilat ballafaqohen artistët në vend:
“Sfida kryesore që muzicientët ballafaqohen në Kosovë është ambienti jo i shëndetshëm e adekuate i punës. Ne meritojmë se pari klasa të strukturuara për muzicientë e instrumentistë të rinj e pastaj salla koncertale për të treguar punën e madhe qe bëjmë në një vend me akustike të denjë”.
Sopranoja e re Urta Haziraj, tregon edhe për modelet e saj në rrafshin profesional. Përmend sopranon me famë ndërkombëtare Lisette Oropesa, me të cilën ka mbajtur masterklasën e fundit:
“Model inspirimi për profesionin tim të ardhshëm si këngëtare operistike janë të gjithë profesorët e njerëzit që kam punuar me ta deri tani në masterklase të ndryshme duke përmendur: Elbenita Kajtazin, Frano Lufi, Rame Lahaj, Caroline Isabel Merz, Götz Seiz, Catherine Ëethington dhe masterklasin e fundit që e mbajta me sopranon e njohur ndërkombëtarisht Lisette Oropesa e cila njëkohësisht është edhe sopranoja ime e preferuar”.
Haziraj thotë se gjithmonë është ndjerë e vlerësuar. E vlerësimin e cilëson si ndjenjë të mrekullueshme:
“Vlerësim dhe këshilla kam marrë në çdo hap deri tani. Jam vlerësuar me fjalë shumë të mira nga çdonjëri që e përmenda me lart. Të jesh dhe ndihesh i vlerësuar për punën tende është ndjenjë e mrekullueshme”.
Arti e kultura do ta kenë edhe angazhimin e Urta Haziraj. Këtë e shpreh ajo si synim për të ardhmen:
“Synimi im kryesor është që gjithmonë të fokusohem në vazhdim të punës si soprano dhe t’i kontribuoj shoqërisë me art e kulture”. / KultPlus.com