5 Janar, 2023 - 7:00 pm
Disa minuta pas nesnatës, në të cekur të 5 dhjetorit të vitit 1791, pas një lëngimi të beftë hekakeq dhe një vdekje e ngërthyer në mister, ndahet përgjithmonë nga jeta Volfgang Amadeus Moxart, klasiku i zëshëm.
Në 35 vitet e jetës së tij përplot rrëmet dhe ngjitjes për nga apogjeu, Moxarti kompozoi më shumë se 600 punime muzikore, të cilat arritën një nivel të epërm. Shpirti i tij krijues dhe muza e etur e talentit të pazakontë, nuk ndali në asnjë stacion të mëdyshjes, hutimit, trazimit, lëndimit e kacafytjes më veten dhe botën, derisa kaploi kreshtën më të lartë të virtuozitetit.
Kontributi i vyer i këtij gjeniu, “.. këtij fenomeni të pashpegueshëm” siç mëton Gëte, e shtriqi frymëmarrjen e tij të perëndishme mbi krejt çfarë rrokte arti i deri asokohshëm i muzikës. Prej operas deri te koncertet për piano, violinë, frymorët e drurit, masterpjesëve korale e deri te simfonitë, ai i hukati me frymën e yjësisë së gjeniut, duke i’a lënë botës, e rrekur ti qaset asaj, sikundër thotë vetëm 15 vite nga shuarja e tij, një muzikant i oborrit të atokohjes: “… një meteor në horizontin muzikor për daljen e të cilit ne ishim ende papërgatitur”. Gjithqysh të kataloguara në galerinë e Moxart figurojnë 626 kompozime, ndër ta 24 vepra teatrore, 51 simfoni, 19 mesha. Partiturat e tij kërkuan 33 vëllime që të mund të botoheshin. Vetë i madhi Bethoven duke komentuar një piano-koncert të Moxartit në Do minor, shpërtheu: “Ah, ne kurrë nuk do të mund të bëjmë diçka të tillë!”
Mozart vdiq duke i ikur botës dhe muzikës si një i dëbuar dhunshëm. Ndahet për të lënë një boshllëk dhe trishtim nga pas. Asokohja ende nuk e kishte kuptuar se do të ndahej përgjithmonë me një magjistar të artit të dehjes shpirtërore, më daltën më të mprehtë që bota e muzikës kishte mëkuar një përmendore kaq shtatlartë, një hyjni tokësore kaq të shëlbyer.
Ceremonitë mortore u mbajtën në pasditen e 6-dhjetorit. Arkivoli u çua përpara Kapelës së Kryqit të Dumos së Shën Stefanit, pranë të ashtuquajturit “Altari i Capistran”. Pati një lloj funerali modest. Lamtumira e fundit i’u dha në varrezat e Shën Markut. Kufoma e tij nuk është gjetur asnjëherë./ Albert Vataj / KultPlus.com