Sot 5 vite nga vdekja e Vaçe Zelës, kumbimi i këtij zëri që vazhdon të magjeps

6 Shkurt, 2019 - 12:30 pm

Nga Albert Vataj

Pesë vite më parë, në orën 01:00 të mëngjesit të asaj të enjte të datës 6 shkurt 2014, u shua në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, Vaçe Zela. Kishte shteruar së frymuari kumbimi i një zëri që mahniti një brez të tërë dhe ngasi në grishje gjeneratën që pasoi të artistëve. Me zërin e saj të papërsëritshëm, Vaçe Zela për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e së përgjithmonshmes, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut. 

Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbeti e papërsëritshme. Kumbimi dhe emocioni i këtij zëri vazhdon të magjeps jo vetëm nostalgjikët por edhe gjeneratën e re të këngëtarëve dhe artdashësve. Forca kumbuese, thellësia dhe aftësia depërtuese, bënë që ky dëshmim i artit shqiptar të rrëmbej edhe interesin dhe vlerësimin në arenën ndërkombëtare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Kujtesa jone kolektive është gjithnjë e më e gjymtuar, prej egos së njeriut bashkëkohor, i cili duke u ndjerë plot energji krijuese dhe me një shpirt flakatar protagonizmi, e ka ta pamundur të ngjitet aq lart për të vendosur qoftë edhe një mirënjohje mbi mermerin e ftohtë të Panteonit ku ruhet shkëlqimi i atij dielli që na ngrohu zemrën dhe na mbush me mall kujtimesh.

Një ndërmendje e mbushur përplot nderim dhe respekt shkon për çdo copëz malli që përbashkon me kohën kur rrugëtoi ndër zemra ky zë, kjo qasje virtuoze e skenës së këngës. /KultPlus.com



Të ngjajshme