Sot feston ditëlindjen Rauf Dhomi, kompozitor i operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”

4 Dhjetor, 2023 - 1:29 pm

Rauf Dhomi, kompozitor, profesor e akademik, u lind në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor 1945.
Në Gjakovë e kreu shkollën fillore, kurse shkollën e mesme të muzikës në Prizren më 1965.

Më 1965/66 i regjistroi studimet në Sarajevë në seksionin e Kompozimit dhe Dirigjimit në klasën e prof. M.Shpiler.
Si student i dalluar u punësua si asistent në të njëjtin fakultet në Sarajeve për lëndën e Harmonisë. U diplomua në vitin 1970. Me të diplomuar kthehet në vendlindje dhe u punësohet në gjimnazin “H. Dushi” në Gjakovë. Krahas punës të pedegogut aktivisht punoi me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965. Studimet pasuniversitare i kreu më 1972/3 në klasën e prof. M. Spiler në Kompozim. Më 1971 u punësua në SHLP në Degën e Muzikës dhe nga viti 1975, me të hapur të Fakultetit të Arteve e deri me sot, punoi në këtë institucion në thirrjen e prof. ordinar. Në vitin 1992 zgjedhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt.

Ka marrë këto mirënjohje, dekorata dhe shpërblime: qytetar nderi i qytetit të Gjakovës (1979); Shpërblimi i Dhjetorit (1980); Dekorata për merita për popull me rreze të artë (1981); Shpërblimi “Muzika më e mire” në Festivalin e Teatrove në Beograd më 1990 (të cilin e kishte refuzuar); Shpërblimi i parë për “Kuarteti për harqe” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1967; Shpërblimi i parë për këngën korale “Pogradeci” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1967; Shpërblimi i dytë për këngën korale “Zemra e Liqerit” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1968.

Rauf Dhomi është kompozitor i operas së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Në këtë vepër bëhet fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhëti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme