20 Qershor, 2023 - 9:31 pm
“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”, thoshte Dritëro Agolli për Vaçe Zelën, artisten ikonë të skenës shqiptare, përcjellë KultPlus.
Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.
KultPlus, sot ju sjell në vëmendje një ndër këngët më të njohura të Vaçes, këngën dedikuar gjyshes, si njeriu më i dashur për fëmijët.
Kënga “Gjyshes” nga Vaçe Zela.
Sot një këngë do këndoj,
Veç për ty , o gjyshja ime.
E di mirë dhe s’e harroj
të shkaktova shumë trazime
Këngën time ta kushtoj
e të falur të dërgoj
për shumë faje e gabime ,
net pa gjumë edhe mundime.
Ti u zbardhe, gjyshja ime.
E çdo vit një rrudhë shton
sa kokëçarje shqetësime
sjellja ime të shkakton.
Por ti je gjithnjë e mirë
edhe fajin shpejt ma fal
T’ jem e urtë unë kam dëshirë,
por se vrullin dot s’e ndal.
Kur fëmijë kam qenë një herë
e pranë zjarrit me ty rrija.
Më tregoje ti atëherë
shumë gjëra që unë s’i dija.
Unë dëgjoja gjithë çudi ,
plot kureshtje, kënaqësi.
Dhe sa shumë nga ti mësoja.
Me sa vrull të përqafoja.
Shkuan vitet e tani
s’jam e vogël si atëherë.
Por gjyshe unë përsëri
ta prish qejfin nganjëherë.
Por se prapë edhe sot
për çdo gjë ti më del zot.
E shikimi yt i dlirë
më jep forcë të jem e mirë./ KultPlus.com