25 Tetor, 2024 - 11:25 pm
Një koncert i paharrueshëm ka “festuar” përmes fuqisë së muzikës bashkimin e njerëzve në Ditën e Kombeve të Bashkuara. Si pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare në Shqipëri, duke sjellë një përzierje unike talentesh dhe shpirt komunitar, ky koncert ka marrë vëmendjen e shumë artistëve dhe artdashësve shqiptarë dhe të huaj.
“Koncerti nisi me AJS Quartet, që solli një kombinim të jashtëzakonshëm të Jazz-it dhe Ethno Jazz-it. Më pas, Kori i Tiranës u bashkua me korin “Joy of Singing”, i përbërë nga individë me vështirësi në shikim, dhe Korin e Fëmijëve, duke e kthyer mbrëmjen në një festë magjike plot emocion. Publiku u përfshi në çdo notë muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Muzika, emocionet dhe repertori me këngët më të bukura botërore e shqiptare na bashkuan të gjithëve në një natë që do të mbahet mend gjatë”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com