Stafi i Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH, prezanton risitë e këtij edicioni

10 Dhjetor, 2024 - 9:31 pm

Në një konferencë për shtyp, stafi Festivalit të 63 të Këngës në RTSH, dha detaje lidhur me organizmin dhe surprizat që do të jenë gjatë 4 netëve magjike.

Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e RTSH-së dhe drejtoresha e festivalit, Aurora Polo, ka falënderuar ekipin artistik dhe profesional të RTSH-së për angazhimin dhe përgatitjen e një festivali dinjitoz, që ka bërë histori për çdo fundvit.

Ky festival do të sjellë 30 krijime artistike dhe do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga 19 deri më 22 dhjetor.

Në një deklaratë për mediet, Polo nënvizoi se ky festival përfaqëson një përpjekje serioze për të kënaqur publikun, duke i dhënë mundësinë besnikëve, nostalgjikëve dhe të rinjve të ndjekin një ngjarje të denjë për traditën muzikore shqiptare. Ajo falënderoi gjithashtu stafin e RTSH-së dhe Orkestrën Simfonike të RTSH, që janë “diamanti” i këtij festivali dhe një shtyllë e rëndësishme për realizimin e tij.

Ky edicion do të sjellë një risi të jashtëzakonshme teknologjike dhe një rikthim të fuqishëm te rrënjët e muzikës shqiptare. Për herë të parë, Fest 63 do të prezantojë një sistem votimi të zgjeruar, ku do të përfshihet edhe diaspora, e cila do të ketë mundësinë të votojë për këngën fituese. Ky hap i rëndësishëm do të sjellë një lidhje më të ngushtë me komunitetin shqiptar jashtë vendit dhe do të bëjë festivali edhe më tërheqës dhe gjithëpërfshirës.

Për sa i përket çmimeve, ky vit do të sjellë një ndryshim të madh: do të ketë një fitues të vetëm, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision. Ky ndryshim vjen për të thjeshtuar procesin, ku publiku dhe juria do të kenë mundësinë të zgjedhin këngën më të mirë.

Gjithashtu për herë të parë, ky festival do të përdorë sistemin e automatizuar të të njëjtit standard që përdoret në Eurovision, duke garantuar performanca të përpikta dhe të jashtëzakonshme./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme