15 Prill, 2018 - 11:30 am
Alberina Haxhijaj
Java e dytë e edicionit të 9-të të Chopin Piano Fest Prishtina është përmbyllur mbrëmë me koncertin kulminant të këtij edicioni. Koncert ky i paharruar pikërisht për shkak të performancës së jashtëzakonshme që sollën pianisti Stefan Vladar dhe pianistja Magda Amara, shkruan KultPlus.
I tërë programi ishte për dy piano dhe me vepra nga kompozitori romantik Sergej Rachmaninoff, vepra këto mjaft sfiduese për pianistët. Këtë e tregoi për KultPlus edhe pianisti Stefan Vladar, një nga personalitetet më të shquara muzikore të Austrisë.
“Kemi ardhur sot dhe do të largohemi nesër mirëpo shpresojmë që herën tjetër do të qëndrojmë më shumë. Sonte ishte një koncert mjaft argëtues për ne pasi që zakonisht nuk bëjmë gjëra të tilla. Sigurisht luajtja e tri veprave nga Rachmaninoff ishte mjaft sfiduese dhe që jemi të martuar me njëri-tjetrin është një sfidë e dyfishtë. Mirëpo e shijuam këtë mbrëmje, një sallë e bukur dhe një publik i dashur”, tha ai.
E lumtur me koncertin dhe me ardhjen në Kosovë është shprehur edhe pianistja Magda Amara, e cila luan me mjaft pasion në piano dhe numëron koncerte të shumta në skenën ndërkombëtare. Ajo është laurate e njëmbëdhjetë garave ndërkombëtare.
“Ishte e mrekullueshme. Jam shumë e lumtur që jam këtu është hera e parë në Prishtinë dhe siç tha edhe bashkëshorti im nuk kemi parë shumë nga vendi por kishte me të vërtet një atmosferë të ngrohtë dhe një sallë e bukur, akustikë shumë e mirë dhe e shijuam këtë mbrëmje. Shpresojmë që të kemi përcjellë ndjenjat tona edhe të publiku”, u shpreh ajo për KultPlus.
Për pianisten Valbona Petrovci ardhja e këtyre dy instrumentistëve që kanë performuar nëpër skenat më të njohura botërore është privilegj për skenën artistike në Prishtinë.
“Ishte një performancë e mrekullueshme pa dyshim, të dy instrumentistët praktikisht merrnin frymë bashkë që për aspektin muzikor është jashtëzakonisht e rëndësishme. Programi ishte komplet me vepra të kompozitorit Rachmaninoff, vepra të shekullit XX. Unë për shijen time do të kisha preferuar edhe diçka klasike mirëpo sido që të jetë performimi ishte jashtëzakonisht në nivel”, tha ajo për Kultplus.
Tutja pianistja Valbona Petrovci tregoi se sjellja e artistëve të tillë ka rëndësi të madhe pikërisht për publikun.
“Diçka tjetër që është e rëndësishme është edhe pjesëmarrja e studentëve nëpër këto koncerte pasi që studentët e muzikës nuk kanë mundësi që të performojnë jashtë apo të përcjellin koncerte nëpër skena të njohura botëror. Ky është një rast jashtëzakonisht shumë i mirë e sidomos për faktin se pjesa më e madhe e performuesve në këtë festival po mbajnë edhe masterklasa me studentët”, theksoi ajo.
Drejtuesja organizative e Festivalit Besa Luzha sqaroi tutje se sa e rëndësishme është pjesëmarrje e këtyre dy pianistëve në Chopin Piano Fest Prishtina por edhe ardhja e tyre në Kosovë.
“Pianistë në bashkëpunim më Ambasadën e Austrisë në Kosovë kanë bërë të mundur që ju të shijoni këtë koncert në Prishtinë. Nuk dua që ta teprojë mirëpo dëshirojë që të theksoj se me sa mund dhe vështirësi po arrijmë të sjellim pianistë të këtij kalibri pikërisht në Prishtinë, në këtë sallë të improvizuar të Prishtinës. Jemi shumë krenar që ne si festival por njëkohësisht edhe Prishtina po mirëpret artistë të tillë nga të cilët kemi pritur disa vite më radhë që të konfirmojnë pjesëmarrjen në festivalin tonë”, tha ajo.
Në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina nesër, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare vjen koncerti i radhës./ KultPlus.com