Studentët e ‘Opera studios’ në PISU përmbyllin kursin me koncert përcjellë në piano nga Simon Despalj

19 Korrik, 2018 - 6:25 pm

Gili Hoxhaj

Më shumë se dhjetë studentë për dy javë kanë ndjekur kursin e “Opera Studios”, ku për dy javë së bashku me profesoreshën e njohur Merita Juniku e profesorin Simon Despalj kanë përgatitur programin me vepra të Bizet, Mozartit e kompozitorëve të tjerë.

Ky kurs përveç studentëve të muzikës, ka mbledhur edhe studentë të cilët nuk janë pjesë e kësaj dege por që në kuadër të këtij kursi, kanë përjetuar një eksperiencë tërësisht ndryshe. Ditët e para të kursit kanë qenë njoftim me veprat, duke kaluar çdo ditë në kompletim të programit që profesoresha Merita Juniku përgatiti për studentët.

Sot për ta finalizuar gjithë këtë punë, pas çdo ditë provash për dy javë rresht, ata sonte u rreshtuan krah njëri-tjetrit për të nisur programin artistik me veprën “Una favurita laorima” me solist Etrit Nuren e përcjellë me piano nga pianisti kroat e kompozitori i njohur Simon Despalj. Kjo nuk është hera e parë që në agjendën e tij, ai i ka të ndara ditët për të ushtruar së bashku me studentët shqiptarë, disa prej të cilëve për herë të parë ndjeknin një kurs që kishte të bënte me muzikën klasike.

Ai tregoi për KultPlus se ka ardhur shpesh në Kosovë por kjo është hera e tretë që vjen në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës. Thotë se ndihet mirë këtu dhe këto ditë të qëndrimit këtu në kuadër të këtij kursi, i kanë dhuruar një eksperiencë të veçantë.

“Jam i lumtur që kam ardhur këtu, shoh shumë njerëz të cilët i kam takuar dhe më parë. Dua ta falënderoj Merita Junikun sepse ajo i ka përgatitur studentët para se unë të vij në Kosovë pasi që është një periudhë e shkurtër për të sjellë një koncert të mirë, kështu që është shumë mirë që ata përgatiten më herët. E shijova lojën time në piano, dua të cek që kam udhëtuar këtu e kam parë gjëra të reja”, tregoi Despalj.

Despalj i cili edhe më parë ka qenë pjesë e këtij kursi, thotë se nuk është hera e parë që punon me studentë të cilët i përkasin fushave të tjera, jashtë fushës së muzikës.
“Ata reagojnë shumë mirë ndaj muzikës dhe janë shumë të lumtur që patën mundësi ta kenë një koncert, kështu që këtu ishin disa që i përkisnin fushës së muzikës dhe natyrisht se pjesët më të rëndësishme u takonin atyre. Ishte një kombinim i bukur. Mendoj që ky program është një ide shumë e mirë”, tregoi kompozitori e dirigjenti Despalj.
Besart Halilaj, Diona Kurti e Dea Xhemajli ishin në qendër të këndimit, derisa përcilleshin nga ansambli vokal i përbërë nga Arianita Saramanti, Dafinë Millaku, Erjona Mulaj, Fjolla Hajrizaj, Gresa Kabashi, Halime Gagica, Xhevahire Saramati, Mentor Hoxha, Sadik Kuqi e Vigan Dalipi.

Kryevepra “Carmen” ishte ajo që e mbylli programin.

Tri pjesë të kësaj vepre deri në “L’amour est oiseau” nga zëri i solistes Dea Xhemajli, përcjellë kohë pas kohë nga ansambli vokal sollën meloditë e fundit në përmbyllje të programit. Në mesin e autorëve të njohur, nuk mungoi as vepra e njohur shqiptare “Hej ju male” e kompozitorit Çesk Zadeja, e që erdhi në interpretimin e Besart Halilajt. Derisa vepra e njohur “Carmen”, vinte përmes solistes Xhemajli, dy nga anëtarët e ansamblit vokal, Vigan Dalipi e Halime Gagica, e përcillnin edhe me lëvizje të trupit, derisa vallëzonin në vals.

Solistja Dea Xhemajli tregon se as për të nuk është hera e parë që merr pjesë në këtë program. Ajo tregoi për KultPlus se është kënaqësi veçmas kur punon me profesionistë si profesoresha Juniku e profesori Despalj.

“Është kënaqësi kur punon me profesionistë si profesorët e këtij kursi, ishte një eksperiencë e veçantë puna me studentët e rinj të cilët kanë shijuar për herë të parë një eksperiencë të tillë muzikore. Sonte ishte një ndjenjë shumë e mirë që së bashku ta prezantojmë këtë punë para publikut”, tregoi Xhemajli.
Fjolla Hajzeraj është studente e gazetarisë, e cila pas eksperiencës me këtë kurs vitin e kaluar, ka vendosur që të jetë pjesë e tij edhe këtë vit. Ajo thotë se përveçse ka shijuar aktivitetet e tjera që PISU i sjellë, po ashtu ka arritur të mësojë më shumë për muzikën klasike.

“Falë profesoreshës Merita Juniku dhe profesorit Simon Despalj këto ditë mësova që bashkë me korin të interpretoj disa nga veprat më të njohura botërore. Të kalosh dy javë në shoqërinë e tingujve të përsosur të muzikës klasike, duke u begatuar me mësime të vyera nga profesorët dhe duke qenë në mesin e miqve të mrekullueshëm, ka qenë ideale për të krijuar një mozaik kujtimesh të bukura”, tregoi Hajzeraj për KultPlus.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për disa ditë radhazi ka qenë nikoqire e 300 studentëve nga vendi, rajoni dhe bota, të cilët kanë marrë pjesë në gjithsej 15 kurse në kuadër të edicionit të 18-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme