30 Janar, 2018 - 1:30 pm
Në edicionin e këtij viti të festivalit europian, Shqipëria do të shpresojë të sigurojë fitoren me këngëtarin Eugent Bushpepa, por a do t’ia dalë?
Kështu e nis tabloidi ‘The Sun’, materialin që i kushton këngëtarit shqiptar, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin ndërkombëtar me këngën Mall, përcjellë konica.al.
Eugent Bushpepa, i njohur me shkurtimin Gent, lindi në Rrëshen të Shqipërisë, në 2 korrik të vitit 1984, shkruan tabloidi. Ai nisi të këndonte në moshë të re dhe në mënyrë që të përmbushte ëndrrën e tij, në 2006-ën iu bashkua një programi ‘Talk show’, në Top Channel, si këngëtar.
Që atëherë, Eugenti ka qenë pjesë e skenës muzikore, duke u bërë një prej këngëtarëve më popullorë në vend, vijon më tej ‘The Sun’. Tablodi kujton se Bushpepa ka performuar me legjendën e ‘Guns n roses’, Ron Thal. Pavarësisht se është pjesë e industrisë që prej 2006-s, Eugenti nuk ka publikuar ende një album të plotë, por vetëm një numër këngësh.
E përditshmja britanike shkruan se Bushpepa u shpall fitues i edicionit të 56 të këngës në Shqipëri, nga një juri profesionale duke mundur një sërë këngëtarësh të tjerë të suksesshëm.
Në festivalin europian të këngës do të paraqitet me këngën Mall, e shkruar posaçërisht për Eurovizion. Shqipëria ka marrë pjesë 14 herë në Eurovision, që prej debutimit në vitin 2004, duke përmendur Rona Nishliun si përfaqësuesen shqiptare të renditur më mirë në klasifikim./KultPlus.com