27 Nëntor, 2023 - 10:21 am
“Ta Zbardhi Ftyrën” tashmë si një ngjarje tradicionale e organizuar nga gazeta e parë online e kulturës në Kosovë, KultPlus, zhvillon nesër edicionin e saj të 6-të.
Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.
Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi, ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.
Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.
“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet sot, më datë 27 Nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë) në Prishtinë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore. Gjithashtu, për të gjithë ata që nuk kanë arritur të sigurojë vendin e tyre në këtë mbrëmje, KultPlus ka njoftuar se koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin e Kosovës.
Kujtojmë që në muajin gusht të këtij vitit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka dekoruar sopranon Elbenita Kajtazin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë”.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca-Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania, AgroCoop dhe sponsori medial RTK. / KultPlus.com