4 Shtator, 2022 - 9:14 pm
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka arritur tashmë në Tiranë, shkruan KultPlus.
Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë ka bërë me studentët e Liceut Artistik.
Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka shpërndarë videon që është realizuar në Liceun Artistik. Talentët e rinj të qytetit i drejtuan mjaft pyetje Ritës, ndërkaq përcollën me interes mesazhin e saj rreth muzikës dhe suskesit në këtë fushë.
Ajo mes të tjerash ka thënë se mosha asnjëherë nuk është pengesë që të vazhdosh së ëndërruari, besuari dhe krijuari.
“Nuk ka rëndësi sa vjeç je, asnjëherë mos ndaloni dot së ëndërruari, besuari dhe krijuari. Dhe ky është qëllimi. Duhet që të gjithë së bashku të inspirojmë njëri-tjetrin dhe kjo është mënyra se si ne realizojmë ëndrrat”, ka thënë Ora.
Sipas saj, duhet që me të vërtetë të dish se çfarë doni të bëni me jetën dhe çfarë dëshironi në këtë jetë. A doni të bëni familjen të lumtur, apo vetën të lumtur, a dëshiron të këndosh apo dëshiron të bësh para; pra cila është ëndrra?
“E gjithë kjo duhet të vijë nga brenda sepse kur të rritesh dhe të takosh njerëz, disa nga ta do të të inspirojnë për të bërë diçka tjetër apo disa do të të thonë ‘Ti s’mund ta bësh atë’, dhe mund të ta shkatërrojnë besimin në vete dhe disa tjerë do të të thonë që edhe ata dëshirojnë të bëjnë të njëjtën, andaj unë mendoj që duhet të jeni vërtetë të fokusuar dhe të mos e dëgjoni atë zë që ju largon nga rruga juaj. Andaj duhet të luftoni shumë që ti përmbysni fjalët e të tjerëve. Dhe kjo është ajo se çfarë akoma më mban gjallë. Unë isha 19 vjeç kur fillova dhe jam shumë me fat që akoma e bëj. Përdoreni instinktin tuaj por jeni edhe të zgjuar, të guximshëm dhe me plot vetëbesim sepse se çfarë ne bëjmë në mënyrë kreative, askush në fakt nuk duhet ta kuptojë për arsye se ne jemi kreativë. Duhet të duroni shumë. Por as unë s’kam fare durim por është e vërtetë ajo që po them”, ka thënë Ora.
Ajo tutje ka vlerësuar lartë potencialin e të rinjve, ngaqë për të, idetë e tyre janë tejet të mira.
“Unë dua të sjell këtu disa nga miqtë e mi që kam takuar në industrinë e muzikës dhe të cilët mund të u mësojnë juve dhe që mund të vinë dhe të mbajnë mbledhje këtu me juve në mënyrë që ata të iu dhurojnë juve ide të shumta sepse fëmijët janë aty ku është e mira. Ata kanë idetë më të mira sepse ata akoma ëndërrojnë. Personalisht, unë asnjëherë nuk dua të pushoj së ëndërruari. Është shumë e vështirë ta bësh por thjesht rrini në slitën me rul. Do të jetë një rrugë e gjatë por shumë e mirë”, thotë ajo.
Më poshtë KultPlus ua sjell videon e plotë: