3 Tetor, 2024 - 7:02 pm
Për tri ditë, orkestra dhe ansamble nga qytete të ndryshme të Shqipërisë në kuadër të edicionit të IX të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve “Muzika e Dhomës dhe Krijimtaria e saj” interpretuan muzikë lirike dhe operistike nga autorët më të njohur, duke ofruar një përvojë të jashtëzakonshme për publikun elbasanas.
Nga viti në vit, ky festival ka njohur një rritje të vazhdueshme dhe edicioni i këtij viti solli disa risi të rëndësishme.
Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve “Muzika e Dhomës dhe Krijimtaria e saj” këtë vit përfshiu gjashtë orkestrat dhe gjashtë ansamblet e muzikës së dhomës nga Shqipëria, si dhe të ftuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, qyteti Pernik i Bullgarisë dhe një duo (violinë dhe viole) nga Spanja.
Festivali filloi më 30 shtator dhe vazhdoi deri më 2 tetor me rreth 200 artistë profesionistë që interpretuan vepra dinjitoze nga autorë botërorë dhe nga krijimtaria shqiptare.
Për herë të parë, përveç repertorit të pasur, u dhanë çmime, duke i dhënë një dimension të ri këtij eventi tradicional që ka tetë edicione të mëparshme.
Festivali, i cili është në edicionin e tij të nëntë, mbështetet financiarisht nga Bashkia Elbasan, nëpërmjet Kryetarit Gledian Llatja, si dhe nga Ministria e Kulturës, e cila mbështet çmimet e këtij festivali.
Dirigjenti Blerim Narazani shprehu kënaqësinë e tij për prurjet artistike të këtij viti, duke theksuar se “niveli është shumë më i lartë nga viti i kaluar.
Garuesit ishin në konkurrencë deri në minutën e fundit për çmimin e madh të orkestrave dhe instrumentistëve më të mirë.”
Çmimin e parë e mori Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila u vlerësua për performancën e jashtëzakonshme artistike.
Mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe bashkia Elbasan, ky festival është bërë një traditë e pritur me shumë entuziazëm dhe pritshmëritë për suksesin e tij u plotësuan.
Performanca e orkestrës pritëse të Elbasanit në mbylljen e natës së parë u vlerësua si një nga momentet më të paharrueshme të festivalit./atsh/KultPlus.com