6 Nëntor, 2019 - 10:00 am
Qendrim Badalli
Në KamerFest kemi parë të jenë të pranishëm edhe emra shumë eminent ndërkombëtar të fushës artistike por mbrëmë kishim emra të rinj, që megjithëse relativisht ende të panjohur për publikun, ata shfaqën një performancë shumë të mirë para audiencës në sallë, shkruan KultPlus.com
Pianistja e re nga Shqipëria, Era Kuma, violonisti i ri nga Maqedonia e Veriut, Leonardo Dimoski si dhe pianistja tjetër nga Shqipëria, Fjorda Veizaj, për rreth një orë e gjysmë interpretuan vepra të ndryshme muzikore. Ata krijuan një ambient të qetë dhe miqësor nën duartrokitjet e vazhdueshme nga publiku.
Pianistja Era Kuma e ka quajtur një “Natë të mirë” koncertin e djeshëm teksa vogëlushja simpatike ka falënderuar të gjithë ata që po e mundësojnë ngritjen e saj profesionale.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu, ishte një natë shumë e mirë. Më duhet t’i falënderoj prindërit e mi për gjithë investimin që bëjnë për mua, dhe po ashtu falënderoj edhe mësuesen time për punën e palodhshme që bënë me mua”. Pianistja Fjorda Veizaj, e ka vlerësuar mbrëmjen e djeshme teksa tha se ishte e lumtur që ka pasur mundësi të performonte me Leonardon, violinistin nga Maqedonia.
“Më pëlqeu koncerti, është hera e dytë që jam në KamerFest si e ftuar e Sihanës dhe kam fatin që luaj me instrumentist shumë të mirë siç ishte Leonardo sot nga Maqedonia, që është me një të ardhme të shkëlqyer si violinist mjaft i mirë”.
Tutje, ajo ka folur edhe për ngjashmëritë dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë sa i takon çështjeve artistike.
“Ne në Shqipëri jemi shumë mirë por edhe në Kosovë qëndron mirë po ashtu. Kemi marrëdhënie dypalëshe, ne vijmë këtu dhe shqiptarët e Kosovës vijnë në Shqipëri. Kështu që është një bashkëpunim dypalësh që ka frytet e veta”.
Violinisti nga Maqedonia e Veriut, Leonadro Dimoski, ishte i shkurtër në prononcimin e tij. Ai e cilësoi si eksperiencë shumë të madhe pjesëmarrjen në këtë mbrëmje.
“Ishte një eksperiencë shumë e madhe për mua, jam shumë i kënaqur që mora pjesë në këtë manifestim”.
KamerFest Kosova 2019 do të vazhdojë edhe mbrëmjeve të ardhshme teksa ngadalë po i afrohet edhe përfundimit të tij. Ai po zhvillohet në të njëjtën kohë në Kosovë, si dhe me disa aktivitetet edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, teksa po vlerësohet çdo ditë e më shumë nga kritikët si dhe pjesëmarrësit e këtij festivali, si i suksesshëm dhe shumë me rëndësi për kulturën në vend. /KultPlus.com