25 Gusht, 2023 - 12:33 pm
Koncerti i mbajtur mbrëmë në Vjenë Forum Gitarre Wien kishte në qendër të vëmendjes Diar Aliun, kitaristin e jashtëzakonshëm 18-vjeçar, nga Mitrovica.
Hapja e koncertit me interpretimin e Diar Aliut ishte tregues i aftësive të tij mjeshtërore në kitarë, ashtu sikurse pranimi në Universitetin e Arteve në Graz që nënvizon përkushtimin që ka ai ndaj profesionit.
Talenti nga Mitrovica tashmë ka një koleksion prej 17 çmimesh. Së bashku me kitarën e tij, ai ja ka dalë më së miri të kapërcejë kufijtë.
Një vit më parë ai fitoi çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar “Forrum Gitarre Wien 2022”, një festival i kitarës klasike ndër më prestigjozët në Evropë.
“Ai përfaqëson potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve kosovarë”, thuhet në një postim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës.
Rrugëtimi i Diarit, që përfshin një dekadë punë dhe pjesëmarrje në gara të shumta evropiane, e vendosë emrin e Kosovës lartë në skenën globale./ atsh / KultPlus.com