15 Maj, 2018 - 9:10 pm
Një qytetar nga Islanda kërkon që të bojkotohet Eurovizioni dhe transmetimi i tij në këtë shtet.
Peticioni në internet i cili ka mbledhur rreth 8 mijë nënshkrime thotë se televizionit kombëtar islandez RUV nuk duhet ta transmetojë vitin tjetër Eurovizionin, i cili do të mbahet në Izrael.
Izraeli e fitoi pas disa vitesh prapë Eurovizionin por këto ditë lajmet më të rënda vijnë pikërisht nga kufiri mes Izraelit e Palestinës ku dje u vranë rreth 50 qytetarë.
Po synohet që të arrihen rreth 30 mijë nënshkrime që Izraeli të mos jetë as nikoqir i Eurovizionit vitin tjetër.
Duket se edhe vetë fitorja e ‘pulës’ Netta nuk po komentohet shumë këto ditë marrë për bazë një ditë të përgjakshme dje. Netta megjithatë fitoren ia ka dedikuar Izraelit ndërsa ka tentuar të tingëllojë sa më pak politike në fjalimin e saj me tu kthyer në Izrael pas fitores në Eurovizion.
Izraeli e ka fituar Eurovizionin edhe në të kaluarën. Në vitin 1998 Dana International fitoi me këngën “Diva” ndërsa festivalin izraelitët e kanë fituar edhe në vitin 1978 dhe në vitin 1979. / KultPlus.com