5 Gusht, 2017 - 1:40 pm
Pjesë të përzgjedhura nga folklori ynë, shpesh janë kënduar tejet bukur nga të huajt. ‘Ani more nuse’, ‘Po vijnë krushqit maleve’, ‘Janinës ç’i panë sytë’, ‘25 gërsheta’, ‘Gajdexhiut’ e këngë të tjera, vijnë përmes një video përmbledhëse ku të huajt dëgjohen duke kënduar për mrekulli këngët shqipe.
Pjesa e parë “Ani more nuse” vjen e kënduar nga grupi muzikor “Barcelona Ethnic Band”, ndërsa në pjesën e dytë, kori me të rinjtë gjermanë këndon një nga perlat e muzikës shqiptare “Po vijnë krushqit maleve” (E kompozuar nga Tish Daija në Plezhë të Shkodrës më 1945 dhe me tekst të Aleksandër Banushit).
Në pjesën e tretë, po aq e veçantë vjen kënga polifonike “Janinës ç’i panë sytë” (Qu’ont vu les yeux de Janinë?) e interpretuar nga Jean-Jacques Fauthoux, Martina A. Catella, Pierre de Trégomain, Romane Claudel Ferragui dhe Emmanuel Pesnot, koncert i zhvilluar nën përkujdesjen e “L’Association Act & Help”.
Në pjesën e katërt, orkestrali shqiptar nga Dasho Kurti së bashku me një këngëtare greke, duke interpretuar në shqip e greqisht “25 gërsheta” (Όι λουλέ ), një këngë e mirënjohur dhe e kënduar dikur nën interpretimin e Eli Farës.
Në pjesën e pestë, është grupi gjerman “Fabula Aetatis”, – i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe performon shpesh këngën e “Gajdexhiut” apo “E lutë nana bijën”.
Në pjesën e gjashtë, të këtij videoklipi kemi përzgjedhur perkusionin e valles nga Gabriele Gagliarini dhe Lavinia Mancusi, në bashkëpunim me Takadum Orchestra “Addije” (E realizuar në dhjetor të vitit 2015).
Dhe në pjesën e fundme kemi rezervuar një surprizë; një vajzë filipinase ka mrekulluar publikun e Dubait me këngën arbëreshe “Moj e bukura more”. Le Ghie ka interpretuar Live në koncertin madhështor “Comedi Junction”, i cili mbahet në Dubai, – ndërsa paraqitja e saj në skenë ka bërë bujë të madhe; një mesazh domethënës për shumë shqiptarë që mund të përfaqësohen edhe me këngët e vjetra shqiptare, e jo veçse ato në gjuhë të huaj.
Realizoi përmbledhjen për Konica.al: Edmond Prifti.