31 Dhjetor, 2018 - 7:45 pm
Gili Hoxhaj
Jo vetëm shqiptarët kanë në dhomat e tyre të varur çiftelinë. Amerikani Jeff Charest e ka pasur një të tillë qysh prej vitit 1992. Ai madje di t’i bije mjeshtërisht asaj. Interesimi i tij për këtë instrument, nuk mbaron këtu. Shumë nga studimet e tij në master kanë qenë të lidhura me këtë instrument, i cili ka një fokus të veçantë në temën e doktoratës së tij në Univeritetin Cardiff në Mbretërinë e Bashkuar .
Shumë të zakonshme e cilëson kontaktin e tij të parë me çiftelinë, për të cilën thotë se ndoshta ka qenë fati i tij që ta ketë në duar. Ndonëse ky instrument e kishte tërhequr qysh në fillim derisa po thellohej më shumë në të, dita ditës e kishte bindur veten se “ky është një instrument që ia vlen të merresh tërë jetën me të”. Tash e gati tri dekada, ai çiftelinë e bart me vete pothuajse kudo që udhëton.
Çiftelia e parë nga pazari i Shkodrës
Kur babai i tij, kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1992, çiftelinë që e kishte hasur në pazarin e Shkodrës, e kishte menduar si dhuratën ideale për të birin, i cili ishte dhënë pas instrumenteve të vendeve të ndryshme e tingujve që ato prodhojnë. Kishte kaluar një kohë e Charest, nuk dinte as si quhej ky instrument e as si tingëllonte, derisa një ditë do të haste në një CD me këngë çiftelie. Dukë dëgjuar video të rapsodëve më të njohur, e duke studiuar më pas këtë instrument në universitetin anglez, ai ka mësuar t’i bije në mënyrë profesionale atij. E gëzojnë fort fjalët e mira të shqiptarëve kur e dëgjojnë lojën e tij në çifteli. Çiftelinë më profesionale e cilëson atë që është e ndërtuar në Prishtinë. Për ta plotësuar imazhin e një rapsodi shqiptar, Jeff Charest shpesh vendos edhe plisin, e tund kokën varësisht nga prekja e telave. Këmbën e djathtë e lëvizë varësisht prej tingujve që i nxjerrë prej çiftelisë.
Duke qenë se studimet e tij e kanë lidhur fort me Shqipërinë e Kosovën, thotë se mezi po e pret momentin që t’i vizitojë. E veçon Prizrenin për të cilin thotë se e di që në shekullin e kaluar ka qenë kryeqendër e shqiptarëve, ku është mbajtur edhe “Lidhja e Prizrenit”. Charest ka një listë të rapsodëve që i dëgjon e i pëlqejnë, në mesin e tyre veçon Dervish Shaqën, Ndue Shytin dhe Fatmir Makollin, ndërsa thotë se do donte t’i binte çiftelisë derisa këndon Mhill Krasnqi.Ka edhe disa këngë të cilat i don fort dhe e di historinë e tyre. Ai thotë se shpreson që kur të mësojë më shumë fjalë në gjuhën shqipe, do të jetë në gjendje edhe të këndojë me këngë çiftelie.
“Babai im derisa kishte ecur në pazarin e Shkodrës, e kishte parë këtë instrument me dy tela që i ishte dukur interesant. Ai ma kishte dërguar atë në Kaliforni, atje ku unë jetoja. Menjëherë kam qenë tërësisht i dhënë pas këtij instrumenti qoftë edhe në mënyrën se si dukej. Nuk e kisha as idenë se si quhej, atëherë interneti ishte në hapat e parë, shumë para se Ëikipedia apo YouTube të ekzistonin. Kështu nuk dija as si tingëllonte ky instrument”, tregon Charest. Që nga atëherë, ai kishte hulumtuar për disa vite për këtë instrument por pa rezultat, derisa në një enciklopedi instrumentesh kishte hasur në emrin e më pas kishte gjetur disa CD që përmbanin këngë çiftelie të incizuara përgjatë viteve 1978 – 1986. Duke dëgjuar këto këngë në CD, ai kishte mësuar si t’i binte asaj. Ai thotë se ndihet keq që akoma nuk e di gjuhën mirë që të këndojë këto këngë ndërsa thotë se shpreson që këtë të jetë në gjendje që ta bëjë në të ardhmen.
“I bëja disa gabime atëherë pasi që përdorja gabimisht telat. Më pas në vitin 2011, kam gjetur një shitës online në e-bay që e shiste çiftelinë nganjë ndërtues çiftelish në Prishtinë, kështu që e blevanjë të re, njëtë ndërtuar në mënyrë profesionaledhe mëpas fillova të përdorë videot e YouTubes për të mësuar më shumë këngë dhe melodi, duke identifikuar këngëtarët dhe instrumentistët më të mirë të këtij instrumentisti”, thekson Charest.
Përveç çiftelisë, ai kur kishte vizituar Tiranën kishte blerë edhe një sharki, për të cilën kishte thënë se nëse nuk e blinte në atë ditë, do të ndihej pishman për tërë jetën.
“Tani i kam katër çiftelia, dhe jam duke mësuar të luaj edhe në sharki dhe në tambure. Kam edhe një tip më të rrallë të një instrumenti me tela, që më kanë thënë se luhet vetëm në Korçë dhe ai është “mandolina” por që unë nuk kam gjetur më shumë informacione për të. Po e mësoj edhe lahutën dhe “the doubleflute” i cili mendoj që quhet “culedyjare” në Shqipëri dhe dvojnice në gjuhën sllave”, tregon studiuesi e instrumentisti amerikan Jeff Charest.
“Dua t’ua kthejë njerëzve vëmendjen tek instrumenti i çiftelisë”
Jeff Charest, dashurinë për muzikën e kishte hetuar qysh herët e i ishte dedikuar më shumë asaj në adoleshencë derisa jetonte në New York. Gjithnjë ka qenë i fasionuar në instrumente të ndryshme dhe me gjërat e ndryshme që njeriu mund të krijojë me tingullin, andaj dhe kishte blerë instrumente të vendeve të ndryshme. Fillimisht kishte kënduar në rrugët e Berkeleyt në San Francisco, ndërsa thotë se kudo që kishte udhëtuar me vete kishte marrë kitarën e çiftelinë.
“Fillimisht e mësova veten të luaja me kitarë dhe ndoqa disa mësime të pianos për një kohë. Më pas vendosa të eksploroj muzikën nga vende të ndryshme të botës, fillimisht muzikën indiane, pastaj atë kineze dhe greke. Pastaj isha muzikant i një kafeneje të stilit maroken në San Francisco dhe kontribuova në disa në disa këngë të një CD-je me muzikë kineze”, tregon Charest. Ai dikur e kishte kuptuar se këtë rrugë nuk mund ta ndiqte si autodidakt dhe kishte nevojë të lidhej me një komunitet më të gjerë akademik.
“Ndoqa studimet themelore në Universitetin e Kalifornisë në SantaCruzz dhe studimet pasuniversitare në Cardiff në Britaninë e madhe. Dhe ja ku jam”, tregon Charest për rrugëtimin e tij muzikor.
Arsyeja përse kishte zgjedhur që teza e doktoratës së tij të lidhej me çiftelinë është sepse e cilëson fort të veçantë dhe se askush jashtë rajonit nuk i ka kushtuar ndonjë rëndësi këtij instrumenti dhe kulturës muzikore të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës.
“Dua t’ua kthejë vëmendjen njerëzve në këtë instrument, në historinë dhe muzikën e tij. Jam shumë I interesuar edhe në lidhjet që ky instrument ka me vendet e tjera të Ballkanit, me Iranin, Turqinë dhe Azinë qendrore, por çiftelia është zhvilluar në një mënyrë shumë origjinale që është unike shqiptare”, tregon Charest.
Teza e masterit të tij ka qenë e fokusuar në muzikën e çiftelisë dhe akordet e moloditë e ndryshme që ajo prodhon. Tani në studimet doktorale po hulumton për historinë e saj dhe lidhjet e lashta mitologjike të cilat thotë që shfaqen në këngë si “Aga Imeri”, e cila tregon se personazhi kryesor luan çifteli në burg dhe merr vëmendjen e vajzës së mbretit që më vonë e liron nga burgu.
“Mendoj se ekzistojnë disa shembuj mitologjik që lidhen me këtë instrument dhe instrumente të tjera me dy tela të gjatë”, shprehet instrumentisti amerikan.
Charest tregon se gjithnjë ka qenë kurioz për kulturën dhe historinë shqiptare, ndërsa shënimet e babait të tij nga vizita e tij në Shqipëri e kishin inspiruar edhe më tutje që të mësojë për Kosovën e Shqipërinë.
“Derisa unë jam rritur në vitet e 80-a atëherë siç e dini Shqipëria, ka qenë një vend i izoluar komunist për të cilin vështirë që mund të dije diçka. Megjithatë, unë jam ndjerë integruar dhe e kam ndjerë njëfarë lidhje me këtë vend, ani pse nuk dija shumë për të. Babai nga udhëtimi atje kishte marrë disa shënime dhe kjo më inspiroi që të mësoja më shumë për Shqipërinë dhe Kosovën”, tregon Charest për KultPlus.
Shqipërinë e ka vizituar vetëm një herë, në vitin 2015. Atje kishte marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Charest tutje tregon se shumë shpejt planifikon që të vizitojë Shqipërinë dhe vendet e rajonit.
“Do të doja të kthehem dhe të kaloj më shumë kohë në Shkodër dhe Krujë, do të doja shumë të vizitoja dhe Kosovën. Dëgjojë shumë gjëra të mira për Prizrenin dhe Prishtinën. Brenda disa javësh, ne do të përfundojmë doktoraturën dhe unë e miku im do të vizitojmë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Z”, thekson ai.
“Aga Imeri”
“Mirë tue hangër Aga mirë tue pije, mirë tue bije Aga me çifteli” janë fjalët që Charest i shkruan ashtu sic i ka dëgjuar e lexuar. Versionet e ndryshme të kësaj kënge që japin një histori të tërë të besnikërisë shqiptare, Charest është duke i hulumtuar e duke i analizuar së fundmi dhe kjo ka bërë që të kuptojë edhe më mirë dialektin geg’ të gjuhës shqipe dhe të largohet pak nga gjuha standarde të cilën kishte filluar ta mësoj fillimisht.
“Kam ditur më shumë fjalë në gjuhën shqipe. Tani jam më i mirë në gramatikë se sa që jam me leksik. Jam përpjekur ta mësoj vetën me gjuhën shqipe derisa po jetoja në Kaliforni, më pas e kam ndërprerë për shkak të angazhimeve. Çuditërisht, kërkimet e mija për temën e doktoraturës e kanë bërë edhe më të vështirë ta mësojë gjuhën në nivel të duhur por prapë vazhdoj të provoj. Tani për tani, jam duke hulumtuar disa versione të këngës së Aga Imeri, kështu që dialektin gegë të shqipes e lexoj më mirë sesa gjuhën standarde. Kur ta përfundoj studimet, të paktën mund të mësoj që të flas përsëri normalisht gjuhën shqipe”, tregon tutje Charest.
Jeff Charest: Veten e cilësoj si ambasador muzikor të shqiptarëve
Duke qenë se tash e një kohë merret me këtë instrument, tingullin e tij shpesh e kishte prezantuar në lojën e tij rrugëve të Amerikës. Ai thotë se tanimë veten e cilëson si një lloj ambasadori muzikor dhe thotë se shpreson që akoma dhe më tutje do të vazhdoj këtë mision që ia ka caktuar vetës.
“Në Amerikë kam luajtur mjaft shumë me çifteli. Njerëzit që e dëgjonin dhe e shikonin atë befasoheshin, shumica e amerikanëve hamendësonin se është instrument indian i quajtur sitar. Shumë njerëz e cilësuan si një zë të mrekullueshëm, të egër dhe të pastër njëkohësisht. Tani në Mbretërinë e Bashkuar kur luaj është zakonisht para një audience të caktuar. Jam shumë i lumtur që plot shqiptarë këtu ndihen të kënaqur kur më dëgjojnë teksa luaj në çifteli dhe më thonë se i bie shumë mirë. Kam punuar aq shumë në të përgjatë viteve. E shoh veten si një lloj ambasadori muzikor dhe shpresoj të punoj me organizatat kulturore në Shqipëri dhe Kosovë dhe në Evropën Perëndimore dhe Amerikë për të promovuar interesimin në çifteli dhe muzikën që ajo prodhon”, tregon Charest.
Charest: Do të doja ta takoja Ndue Shytin dhe Fatmir Makollin
Ai ka një listë të këngëtarëve e instrumentistëve që i dëgjon vazhdimisht.
Instrumentistët e këngëtaret që i pëlqejnë më së shumti janë: Ndue Shyti, Fatmir Makolli, Rexhep Hajrizi, Esat Gashi, Sali Mani dhe Esat Ruka. Përvec burave, ai thotë se dëgjon edhe disa këngëtare shqiptare, Drane Gegan, Remzije Osmanin, Merita dhe Aferdita Veselin.
Këngët që ai i dëgjon më së shumti janë meloditë e Ndue Shytit, ndërsa veçon edhe këngët “Hajredin Pasha”, “Moj e mira Bregut Cemit”, “Ganimete Terbeshit”, “ Në Qendër të Fshatit”.
“Do të doja të takoja Ndue Shytin, kurse nga një gjeneratë më e re do të doja të takoja Fatmir Makollin”, thotë Jeff.
Ai krejt në fund tha se ndihet tejet i lumtur që ka gjetur çiftelinë, për të cilën thotë se ia ka ndryshuar krejtësisht jetën dhe të cilën thotë se dëshiron ta prezantojë tek një numër sa më i madh i njerëzve.
“Jam shumë i lumtur që ky instrument dhe muzika e tij jeton akoma, çiftelia ka bërë një ndryshim shumë të madh në jetën time dhe jam i lumtur që t’ua jap atë Shqipërisë dhe Kosovës duke shpërndarë atë tek shqiptarët dhe të huajt”, është mesazhi i fundit i JeffCharest. / KultPlus.com