17 Korrik, 2022 - 8:15 pm
Më 21 korrik në sallën “Bodgani Polis” nën katedralën Nënë Tereza do të mbahen një koncert prej 31 muzikantësh nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, shkruan KultPlus.
Të enjten, më 14 korrik, kanë nisur provat për 30 muzikantë të rinj nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ata janë mbledhur në Prishtinë për 8 ditë intensive përgatitjeje nën dirigjentin dhe pianistin Desar Sulejmani, pas së cilës do të shkojnë në një turne koncertesh në Ballkan, pas një muaji me një turne koncertesh në Gjermani. Kjo përzierje e të rinjve nga të gjitha anët e Ballkanit Perëndimor, të bashkuar nga pasioni i tyre për muzikën, ilustron fuqishëm fuqinë e arteve për të kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe etnikë.
Koncerti inagurues do të mbahet të enjtën në Prishtinë, ku edhe do të luhen vepra të ndryshme të Chopin, Grieg, Tansman, Shostakovich, si dhe një premierë botërore e kompozitorit shqiptar, Gerti Druga.
Koordinatori i aktiviteteve të orkestrës, Pierre Weber, në një intervistë për KultPlus ka deklaruar se këto vepra që do të luhen më 21 korrik nga orkestra, do të jenë nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit shqiptar, Desar Sulejmani.
“Orkestra do të jetë nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit shqiptar Desar Sulejmani. Por ai do t’u japë edhe dy dirigjentëve të rinj mundësinë për të ndarë skenën me të”.
Pse Kosova?
I pyetur nga KultPlus në qoftë se ka ndonjë arsye specifike pse zgjodhën Kosovën për të mbajtur koncertin, Weber thotë se ekziston një arsye e tillë specifike.
“Po! Ky projekt është vazhdimësi e Akademisë Evropiane të Muzikës Verore (ESMA), e cila zhvillohet çdo vit në Kosovë që nga viti 2012. Pra, ne kemi sjellë sërish muzikantë të rinj në Prishtinë për të praktikuar dhe studiuar, në traditën e ESMA-s, e më pas në performojnë së bashku si një orkestër. Por pas këtij koncerti të parë në Prishtinë, ata do të shkojnë së bashku në një turne ballkanik dhe do të luajnë në Shkup, Novi Sad, Mostar dhe Kotorr. Dhe më pas në gusht, i gjithë grupi do të shkojë së bashku në Gjermani për një seri koncertesh në Berlin, Königswinter, Kassel, Aachen dhe Essen”.
Procesi i provave
Kanë kaluar 2 ditë që kanë nisur provat, si po shkojnë punët? Jemi shumë të lumtur se si po zhvillohen gjërat! Niveli i muzikantit është shumë i lartë dhe orkestra tashmë tingëllon jashtëzakonisht mirë vetëm pas kaq pak praktikë. Kjo është një shenjë shumë e mirë për koncertin e parë të së enjtes!
Weber njofton se për shkak të mungesës së kohës, nuk do të realizojnë ndonjë koncert tjetër këtu.
“Fatkeqësisht jo, sepse nuk do të kemi kohë. Muzikantët e rinj ushtrojnë shumë intensivisht së bashku si orkestër, por edhe në grupe më të vogla dhe madje edhe individualisht nën drejtimin e muzikantëve të shquar nga BE-ja. Këto prova mbushin gjithë ditën. Por nuk kam dyshim se muzikantët tanë të rinj ende e gjejnë energjinë për të festuar së bashku natën”.
Energjia e jashtëzakonshme e muzikantëve të rinj nga Ballkani Perëndimor
“Pikërisht, ata janë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të listuara më sipër, me një të ftuar gjithashtu nga Gjermania. Kjo krijon shumë ngjyra dhe shumëllojshmëri, shumë gjuhë të ndryshme. Gjithashtu, mbani mend, këta janë të gjithë rini, studentë ende, dhe kanë shumë energji! E bukura është se ata janë të gjithë muzikantë dhe se janë jashtëzakonisht të përqendruar të japin maksimumin e tyre që kjo orkestër të tingëllojë sa më mirë. Kjo do të thotë se bashkëpunimi është jashtëzakonisht i lartë”, shprehet Weber.
Udhëtimi së bashku nëpër Evropë
Pas Prishtinës, siç njofton Weber, ata do të udhëtojnë në Shkup (21/7), Novi Sad (24/7), Mostar (26/7) dhe Kotorr (28/7).
“Fatkeqësisht këtë vit Shqipëria nuk është në agjendë. Por ne luajtëm atje vitin e kaluar në tetor. Dhe në gusht orkestra do të performojë në pesë qytete të Gjermanisë. Ky grup të rinjsh do të udhëtojnë shumë së bashku”.
Mundësia që (nuk) ekziston
“Kjo orkestër synon gjithashtu t’u japë muzikantëve të rinj kosovarë mundësinë që të trajnohen dhe praktikojnë me muzikantë të klasit botëror dhe të përjetojnë udhëtime në turne në Ballkan dhe BE. Të gjithë e dimë se udhëtimi është akoma më i vështirë për qytetarët kosovarë, prandaj të rinjtë nga këtu kanë më pak mundësi për të mësuar dhe ekspozuar jashtë vendit sesa bashkëmoshatarët e tyre nga rajoni dhe BE-ja. Ky projekt dëshiron t’u japë atyre këtë mundësi. Gjëja e dytë që duhet të themi është se njerëzit dhe institucionet në Kosovë kanë qenë jashtëzakonisht përkrahës dhe na kanë ndihmuar shumë për organizimin e këtij turneu. Një falënderim i madh u detyrohet atyre”, përfundon Weber, duke shtjelluar edhe një herë tjetër energjinë e madhe që kanë të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e Artium Eudora, një OJQ me qendër në Prishtinë që po promovon artin si një mjet për përparimin individual dhe shoqëror. WBYO ekziston që nga viti 2020, kur realizoi disa regjistrime kibernetike – e vetmja mundësi gjatë kulmit të pandemisë. Orkestra shkoi në turne për herë të parë në tetor 2021 dhe në maj 2022 luajti me rastin e Ditës së Evropës në Novi Sad.
Pas koncertit në Prishtinë, orkestra do të vazhdojë turneun e saj në Shkup, (22 korrik), Novi Sad (24 korrik), Mostar (26 korrik) dhe Kotorr (28 korrik). Në gusht, muzikantët e rinj do të ekspozohen për herë të parë para audiencës gjermane me koncerte në Berlin, Kassel, Königswinter, Aachen dhe Essen.
Turneu i WBYO 2022 është mundësuar nga mbështetja bujare e Klubit Rotary Aachen/Land, BE-së në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Drejtorisë së Përgjithshme të BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Engagement Global, Ministrive të Jashtme të Gjermanisë dhe Luksemburgut, Ambasada e Republikës Çeke në Kosovë, si dhe Forumi Kulturor Austriak në Serbi. /KultPlus.com