15 Shtator, 2022 - 7:30 pm
Flonja Haxhaj
Të shtunën, më 17 shtator, Kino Lumbardhi në Prizren do të jetë nikoqire e veprës ‘Monade’ të kompozitorit, Robert Bisha, një vepër kjo e bashkë-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, shkruan KultPlus.
Vepra e cila shënon edhe fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës dhe 70-vjetorin e krijimit të Kino Lumbardhit, është një suitë simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multi-media.
Për të folur më shumë për këtë vepër, sot është mbajtur një konferencë për media ku kanë qenë prezentë vetë kompozitori, Robert Bisha, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari dhe drejtuesi i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta.
Jashari thotë se është i lumtur për hapjen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës me këtë vepër, ndonëse filharmonia ka realizuar tashmë dy koncerte në fillim të shtatorit, më 5 shtator me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe koncerti i dytë ishte pak ditë më parë i Korit të Filharmonisë së Kosovës e që u realizua në Kishën Shën Ndou.
“Tani jemi në prag të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm, të veçantë dhe të madh të Filharmonisë së Kosovës, bëhet fjalë për një vepër vokalo-instrumentale të kompozitorit shqiptar, Robert Bisha. Ditëve të fundit, Filharmonia e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në përgatitjen e një vepre shumë të veçantë, për nga përmbajtja për nga formacioni, pjesëmarrësit, tematika, ishte një përvojë më e ndryshme për Filharmoninë e Kosovës bazuar në programet paraprake”, u shpreh Jashari, i cili ndër të tjerash tha që në fillim, pjesëtarët e filharmonisë ishin pak skeptikë pasi morën me vonesë programin por kanë bashkëpunuar duke e njohur kapaxitetin dhe stilin e kompozitorit Bisha.
Ndërkaq, Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi tha vepra që shënon edhe fundin e festimeve të 70-vjetorit të hapjes së Kino Lumbardhit, e ka sjellë bashkëpunimin mes Filharmonisë së Kosovës dhe Fondacionit Lumbardhi në një nivel të ri të bashkëpunimit tashmë 5-vjeçar.
“Ky është një bashkëpunim i ri mes Prizrenit, Kino Lumbardhit dhe Robertit i cili e ka mbajtur koncertin e vetëm të vitit të parë pandemik, një piano solo për 50 veta në një distancë në bahçe. Mirëpo biseda që nisi atëherë në Prizren u zgjat edhe e gjeti veten në mes të diskutimit se si duhet me kremtu 70-vjetorin e Kino Lumbardhit që trajton një 70-vjetor të një institucioni interesant me faza të ndryshme në një kontekst kontradiktor dhe me e pa se si mundemi që edhe muzikën edhe filmin, më shumë muzikën me e trajtu në mënyrë të re, në një hapsirë që është mësuar vetëm me u konsumu dhe jo me u prodhu dhe me u diskutu.”, tha Shporta, përcjell KultPlus.
E krejt në fund fjalën e mori edhe kompozitori Robert Bisha, i cili rikthehet në Prizren pas dy vitesh me një mision tjetër të veçantë.
“Jam shumë i kënaqur që kam pasë mundësi në njëfarë mënyre me e vënë në dispozicion se çka është backgroundi im apo se çka është dhuntia ime në dispozicion të Fondacionit Lumbardhi me të cilin kam nderin që bashkëpunoj përgjatë këtyre viteve dhe gjithashtu edhe në dispozicion të filharmonisë me të cilën pata nderin të punoj këto ditë.”, deklaroi Bisha.
“‘Monade’ ndahet në tetë pjesë, numër simbolik për mua sepse çdo koncert e bëj në tetë pjesë. Janë të gjitha kohë që shpjegojnë, që ka një narrativë të tyre nga pastoralet deri te pjesa e fundit, kanë një historik të tyre që sheh apo mundohet me e pa Prizrenin si nga detaji, por edhe si nga sipër apo edhe mundohet që Prizrenin ta shohin nga pikëpamja e vetë”, u shpreh më tutje kompozitori Bisha, duke folur për pikësynimin poetik të asaj se çka sjell ‘Monade’.
Kujtojmë që koncerti ‘Monade’ mbahet të shtunën (17 shtator) nga ora 20:00 në Kino Lumbardhi./ KultPlus.com