26 Nëntor, 2022 - 9:55 pm
Violinisti i njohur shqiptar Tedi Papavarmi përmes tingujve të violinës solli për artdashësit kryeqytetas veprat e kompozitorëve botërorë dhe jo vetëm.
Në koncertin e shfaqur mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, Papavrami i shoqëruar në piano dhe nga Philipe Bionconi interpretoi me mjeshtëri sonatat qendrore të repertorit, rrugëtim midis gjuhëve të ndryshme të kompozitorëve Beethoven, Brahms dhe Franck.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti postoi sot në rrjetet sociale momente nga koncerti i Papavramit.
“Tedi Papavrami i dha edhe më shumë kuptim Javës Kombëtare me koncertin e tij në skenën e Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Përmes tingujve të violinës na udhëhoqi në një rrugëtim magjik, nga majat e repertorit botëror te ëndrrat e fëmijërisë”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “emocionues ishte edhe interpretimi i “Baladës” së Pjetër Gacit, që na bën edhe më shumë krenarë për artistët tanë”,
Tedi Papavrami me aktivitetin e tij ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J. C. Casadesus, etj.
Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit.
Artisti Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P. Bianconi, H. Sermet, M. Rubackyte, P. Meyer, E. Lesage, R. Oleg, G. Hoffman, etj./atsh/ KultPlus.com