19 Shkurt, 2018 - 11:30 am
Sopranoja Elbenita Kajtazi ka qenë pjesë e gazetës prestigjioze britanike “The Telegraph”, me anë të një shkrimi është përshkruar në pika të shkurtra rrugëtimi i saj artistik, shkruan KultPlus.
Lidhur me sopranon kosovare, shkruhet se rrugëtimi i saj deri në nivelin e tanishëm, nuk ka qenë aspak i lehtë. Këtu përfshihet fëmijëria e saj gjatë luftës me Serbinë dhe jeta e saj si refugjate.
“Shumë prej tyre janë përpjekur shumë për të arritur deri këtu: 27-vjeçarja kosovare Elbenita Kajtazi, një bukuroshe flokëzezë, u rrit gjatë luftës së tmerrshme me Serbinë dhe kaloi shumë nga jeta e saj e hershme si një refugjate në Shqipëri”, shkruhet në artikullin e gazetës “The Telegraph”.
Tutje gazeta ka treguar për kontaktin e saj me operën.
“Kontakti i saj i parë me operën ishte përmes dëgjimit të Maria Callas në YouTube dhe ajo nuk është kthyer prapa që prej asaj kohe – gjatë katër viteve të fundit ajo ka nënshkruar kontratë me shtëpitë e operës gjermane dhe tani po punon në ansamblin rezident në Operën shtetërore të Hmburgut. Ardhja në Glyndebourne do të jetë udhëtimi i saj i parë në Britani, kurse deri tani ajo e ka pasur të pamundur marrjen e vizës “, shkruhet tutje në këtë shkrim. / KultPlus.com