16 Qershor, 2021 - 5:29 pm
Suada Qorraj
Meloditë e këngëve popullore shqiptare e kishin shoqëruar atë çdo herë, që nga fëmijëria ato ishin pjesë e jetës e përditshmërisë së tij. Pikërisht këtu kishte marrë rrugën edhe pasionin i tij i madh për muzikën. Zëri i tij ka kumbuar që nga skenat vendore e deri tek ato ndërkombëtare, kurse së fundmi tenori, Granit Msuliu, ka nënshkruar marrëveshje me Operën Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”, shkruan KultPlus.
Tenori Musliu, do të jetë pjesë e programit të rregullt të kësaj shtëpie operistike, kurse në një intervistë për KultPlus ai ka shpalosur më shumë detaje rreth këtij suksesi.
Ai ka theksuar se pranimi në Operën Shtetërore të Bavarisë është një ndër hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij, sepse ai do të ketë mundësinë të performojë krah për krah me artistët e mëdhenj të botës.
“Pranimi në Operën Shtetërore të Bavarisë për mua personalisht ka është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm për fillimin e një karriere internacionale, themelet e së cilës do ta kem rastin t’i ndërtoj gjatë kësaj periudhe, duke qenë pjesë e shfaqjeve të ndryshme bashkë me artistë të mëdhenjë të botës së operës siç janë Placido Domingo, Ermonela Jaho, Leo Nuccin dhe shumë artistë të tjerë”, tha tenori për KultPlus.
Tutje ai ka shtuar se një nga momentet më të paharrueshme për të është edhe ai kur ishte pranuar në programin e artistëve të rinjë të kësaj shtëpie operistike, pas dy audicioneve që i kishte bërë në Munich.
“Pas dy raundeve të audicioneve në Munich jam njoftuar se jam përzgjedhur të jem pjesë e programit të artistëve të rinjë dhe natyrisht ky ka qenë një moment i paharrueshëm për mua. Atë moment e kam ndjerë si një fitore ndaj të gjitha barrierave dhe sfidave që ka një student nga Kosova”, tha ai.
Musliu ka rrëfyer për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij, duke theksuar se një nga më të mëdhatë është edhe përgatitja profesionale.
“Pasi që tashmë afër dy vite vazhdoj studimet në Hamburg të Gjermanisë, mund të them se sfidë e vetme ka qenë përgatitja e madhe profesionale e cila është kriter për nvelet e larta që kjo shtëpi operistike ka, e për të cilat kam punuar me profesorin Geert Smits dhe Caroline Merz”, potencoi për KultPlus, Musliu.
Tenori kosovar, Granit Musliu, i cili do të jetë pjesë e Operës Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”, për dy vitet e ardhshme, tregoj se tashmë është duke punuar për rolet më të cilat do të debutoj gjatë sezonit të ardhshëm.
“Tashmë jam duke punuar për rolet të cilat do t’i debutoj gjatë sezonit të ardhshëm i cili fillon në shtator dhe në ndërkohë jam në përgatitje për koncerte dhe prezentime të ndryshme të cilat do të mbahen në Francë, Gjermani dhe vende të tjera”, pohoi tenori.
Musliu tha se pranimi në këtë shtëpi operistike është ndër momentet që do ta veçonte më së shumti, ngase është më kulminanti për karrierën e tij.
“Besoj se do ta veçoja këtë si momenti më kulminant për karrierën time e cila është mjaft e re, por dëshiroj të cek një moment tjetër i cili është po ashtu me rëndësi të madhe për mua si artist, dhe ai do të ishte para dy viteve kur kam pasur koncert solistik në Prishtinë dhe në publik ishin prezent prindërit dhe një pjesë e madhe e familjes time”, përfundoi intervistën tenori./ KultPlus.com