3 Mars, 2019 - 11:10 pm
“Imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rekuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë”.
Kështu ka deklaruar tenori i njohur Saimir Pirgu, lidhur me situatën aktuale në Shqipëri duke dhënë edhe mesazhin e tij.
Në një intervistë për Top-Channel, Pirgu u shprehet se: “keq më vjen, por ky perceptim i mediave të huaja të sinkronizuara sikur në Shqipëri është Mesjetë. U bënë 20 vjet që e teprojnë. Është përgjegjësi e politikës shqiptare. Dhe flas të të gjitha krahëve politike që keto gjëra të mos përsëriten. Sepse imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rekuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë”.
Tenori me famë botërore, u ngjit me zërin e tij edhe në skenën e Pallatit të Kongreseve në mbrëmjen gala të Samitit të Diasporës.
Pirgu u shpreh se “ishte kënaqësi e veçantë në radhë të parë edhe fakti që përveç publikut shqiptar kishte edhe shumë nga diaspora që tashmë më ndjekin kudo ku janë. Por, sidoqoftë në territorin tënd. Në shtëpinë tënde. Në shtëpinë edhe të diasporës në Tiranë apo edhe në Shqipëri është gjithmonë një kënaqësi dhe publiku gjithmonë ka një përqëndrim tjetër”.