25 Tetor, 2017 - 10:49 am
Nata e pestë e Festivalit Kamertal “Kamerfest” erdhi me koncertin “Piano për duo, quattro, otto” duke sjellë në skenë së bashku pianistë të mëdhenj nga SHBA-ja, Franca, Shqipëria e Maqedonia, shkruan KultPlus.
Në të tri anët e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë publiku kishte ngulur sytë në pianistin Derek Han nga SHBA-ja, afër të cilit rrinte pianisti shqiptar Klevis Gjergji. Në sallë erdhën meloditë e kompozuara nga Mozarti e që vinin nga katër duar të këtyre dy artistëve, derisa ndonjëherë mbeteshin vetëm tri duar në piano kur njëri nga ta lëvizte me shpejtësi fletët e partiturës duke i dorëzuar kështu herë-herë melodinë njëri-tjetrit. Nga Mozarti, pianistët përshkuan një udhëtim muzikor tek Schuberti, duke rikthyer kështu përsëri interpretimin e Derek Han pranë të njëjtës piano por i shoqëruar nga krijimi i tingujve të pianistit francez, Bertrand Giraud duke dhënë po ashtu një bashkëveprim me melodi që shpeshtoheshin.
Koncerti erdhi me një ritëm edhe më të fuqishëm kur pranë të dy pianove që ndodheshin përballë, në njërën piano ishte Bertrand Giraud i cili ndonëse kishte një shprehje të qetë fytyre gjatë interpretimit, ai solli mjaft tinguj të fuqishëm së bashku me pianistin nga Maqedonia, Shkëlzen Baftiari. Interpretimi i veprës së Ravel nga këta dy autorë ishte momenti i parë dhe i vetëm ku përdoren të dy pianot e vendosura në sallë pasiqë në vepra e Rachmaninoff, do të ulte së bashku në një piano të tre pianistet Derek Han, Bertrand Giraud dhe Shkëlzen Baftiarin. Mirëpo koncerti arriti kulmin me veprën e Lavignac kur të njëjtën piano e ndanë të katër pianistët që interpretuan gjatë koncertit. Duke mos lenë hapësirë afër njëri-tjetrit por duke e plotësuar në mënyrën më të mirë artistike veprën, lëvizjet e tetë duarve dukej sikur sillnin një valle të bukur melodish.
Derek Han, pianisti nga SHBA-ja, mbrëmë ishte kthyer në edicionin e 18-të pasiqë kishte qenë pjesë e rrugëtimit të parë të KamerFestit në edicionin e parë të tij.
“Është një gjë e mrekullueshme të shohësh KamerFestin pas tetëmbëdhjetë vitesh, dhe të shohësh Prishtinën, të cilën e mbaj mend nga KamerFesti i parë kurse tani është shndërruar në një qytet të madh evropian. Kosova do duhej të ndihej krenare për një festival si KamerFesti dhe për progresin e këtij festivali gjatë këtyre viteve”, tha Han për KultPlus.
Po ashtu Han shtoi se interpretimi i kësaj mbrëmje edhe pse i vështirë të luhej me gjashtë dhe tetë duar, në të njëjtën kohë i solli atij edhe shumë kënaqësi.
Ndërsa pianisti nga Maqedonia Shkëlzen Baftiari, i cili thotë se është familjarizuar me mirëpritjen e publikut në këtë objekt tregoi për realizimin e këtij koncerti.
“Përzgjedhjen e programit e kemi bërë brenda një kohe të shkurtër, ka qenë pak e vështirë sepse janë vepra shumë të mëdha dhe të vështira kurse prova kemi bërë shumë pak, ku jemi takuar vetëm dje dhe sot me një provë. Unë kam kaluar shumë mirë me publikun këtu, ku unë jam gati çdo vit në Kosovë bile njihem edhe me publikun dhe shumicën e njerëzve këtu”, tregoi Baftiari për KultPlus.
Nesër po ashtu në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00 KamerFesti do të sjellë koncertin e gjashtë me pianistin nga Franca, Bertrand Giraud dhe Klevic Gjergjin nga Shqipëria të cilët së bashku me Orkestrën e Harqeve të Festivalit do të interpretojnë veprat e Poulencit dhe Brittenit./ KultPlus.com