24 Tetor, 2022 - 3:29 pm
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i bashkohet Tetorit Rozë me një koncert bamirësie, për t’iu gjendur pranë vajzave dhe grave, që po luftojnë kundër kancerit të gjirit.
Artistët e TKOBAP kishin zgjedhur një repertor të mrekullueshëm për një kauzë të rëndësishme. Mbrëmja koncertale e bamirësisë u mbajt në hollin koncertor. Në të interpretuan emra të njohur si Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Ramona Tullumani, Sonila Baboçi, Renisa laça, Xhieldo Hyseni, Bledar Domi e Artur Vera, me koncertmaestër: Ingrid Pulizo, Etrita Ibrahimi e Herta Cane e Igli Rapaj.
Me këtë mbrëmje koncertale, TKOBAP u ndodhet pranë vajzave dhe grave të cilat janë duke luftuar kundër sëmundjes së kancerit të gjirit.
Tetori është muaji i depistimit dhe ndërgjegjësimit të kësaj sëmundjeje dhe në këtë kuadër, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, organizoi këtë mbrëmje bamirësie, me qëllim mbledhjen e donacioneve për blerjen e protezave dhe përpunimin e parukeve, në bashkëpunim me Europa Donna Albania, për vajzat dhe gratë të cilat po përballen me luftën kundër kancerit të gjirit. /atsh / KultPlus.com