The Daggs, me “Lumturi” nga Sicilia arbëreshe

16 Prill, 2020 - 3:00 pm

Të dëgjosh fjalën shqipe “lumturi” nëpër brigjet e bukura të Sicilisë është ndjenjë e rrallë dhe e veçantë. Por, të dëgjosh këngë bashkëkohore nga një komunitet mesjetar paraqet majën e gëzimit dhe qejfit.

Bendi me të rinj arbëreshë, The DAGGS nga Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) e ofron këtë dëfrim shpirtëror me një aftësi spektakolare përmes këngëve të tyre të kënduara në arbërisht, shqipen e paraardhësve tanë.

Bashkëdyzimi i vargjeve të poetit arbëresh Paskal Renda (1955-2014) dhe i mjeshtërisë muzikore të The DAGGS çon në krijimin e një melodie mbresëlënëse siç përjetohet përmes këngës Lumturi. Kjo këngë përbën edhe videoklipin e parë të grupit arbëresh, i frymëzuar nga një udhëtim nostalgjik e përplot mall nëpër fshatrat arbëreshë të Kalabrisë dhe do lansohet me 11 maj 2020.

Lumturi është kënga e parë që do lansohet nga albumi i tyre i parë. Përderisa bendi pret me padurim të ndajë albumin e tyre me audiencë të gjerë, lansimi i tij është shtyer për shkak të koronavirusit.

Nuk mjafton vetëm të lexohet për këtë krijimtari të bukur, ajo duhet të dëgjohet patjetër.

BIO – THE DAGGS

“The Daggs” është një grup të rinjësh nga Hora e Arbëreshëve, qytezë siciliane e themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para pesë shekujsh, në të cilën ende sot është e gjallë gjuha, kultura dhe identiteti arbëresh.

Shkruajnë kështu në gjuhën e stërgjyshërve dhe e përditshmërisë: arbërisht.

Këngët e tyre janë një nevojë shprehëse. Tregojnë dashuri për rrënjët dhe një identitet gjithmonë në udhëtim, ndër ethnos dhe stil bashkëkohor.

Ata kanë marrë pjesë në Suns Europe (Festivali Evropian i Këngës në Gjuhë Pakicash, Cagliari, 2015) dhe kanë fituar OPP! Festival-in (Favara, 2017). Kanë patur edhe ekpserienca në televizionet shqiptarë (Top Channel, TvKlan, TVSH; Digitalb) dhe italianë (Rai). Në janar 2018 kanë luar një koncert për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, në Pallatin e Brigadave (Tiranë).

Giorgio Fusco – vokal

Saverio Guzzetta – kitare, vokale, bouzouki

Rosa Alongi – violin

Giorgio Ciulla – bas elektrik

Alessandro Ferrantelli – bateri.  /KultPlus.com

Të ngjajshme