4 Tetor, 2018 - 1:30 pm
Gili Hoxhaj
Prej mbrëmë, publikut të Prishtinës i është hapur një derë e re përmes së cilës mund të përjetohen veprat e njohura vokale prej zërave të njohur vendorë e të huaj. Të gjitha tashmë të përmbledhura në një festival të vetëm.
Për koret, ansamblet, solistët e dirigjentët shqiptarë tashmë është krijuar një strehë përmes së cilës zërat e veprat e tyre për disa net radhazi do të arrijnë publikun e Prishtinës. Kjo dhe si inkurajim për krijimin e aranzhimin e veprave vokale. Disa nga zërat më të mirë të muzikës vokale në Kosovë e jashtë saj do të mund të dëgjohen në dy lokacione të ndryshme në Prishtinë, në datat që Prishtina International Vocal Festival i ka rezervuar për publikun.
“The Gesualdo Six” ka marrë rrugën nga Londra për të hapur këtë festival. Grupi i cili drejtohet nga Owain Park, përbëhet prej këngëtarëve më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar, e që kanë performuar në shumë festivale të Mbretërisë së Bashkuar e jashtë saj, si në Gjermani, Holandë, Francë, Poloni, Jersey dhe Monako, kurse takimin me Kosovën e kanë cilësuar si krejt të papritur, ndërsa kanë përfunduar shumë të kënaqur me paraqitjen këtu, duke iu përgjigjur duartrokitjeve të publikut edhe me një vepër shtesë jashtë atyre të programit.
“Është kënaqësi dhe nder që jemi sonte këtu në hapjen e Prishtina International Vocal Festival dhe për të ndarë me ju vepra nga vendi ynë, nga kompozitorë nga vende të ndryshme si Londra, Estonia e Italia. Veprat janë 300 vjet të vjetra dhe posa janë kompozuar” u shpreh fillimisht Owain Park.
Përmes zërave të grupit “The Gesualdo Six” publiku mbrëmë arriti të dëgjojë vepra qindra vite më të hershme por me kompozime të freskëta. Pikërisht gërshetimi i veprave të vjetra me kompozime të reja është karakteristika kyçe e grupit. Me paraqitjen e mbrëmshme në Kosovë, ky grup vokal dëshmoi se nuk është nga ato grupet të cilët publiku mund t’i shoh vetëm përballë tyre. Zërat e tyre fillimisht dëgjohen nga dera hyrëse në ambientet e Kishës “Shën Ndou” në Prishtinë, prej nga fillon interpretimi i veprës “Auditivi vocem” të John Taverner, duke e hapur kështu programin e mbrëmjes koncertale. Më pranë nje pjesë të publikut që qëndronte në ulëset në mes, publiku dëgjoi vazhdimin e programit derisa u vendosën përballë tyre. Të katërt të veshur në të zeza, fletët e bardha të partiturave thyenin kontrastin. Përmes veçantive të tyre vokale, zërat e tyre ndesheshin herë pas here, duke u mbështetur në kërkesat e veprës e duke zbuluar veçantitë e tyre vokale ndërsa në përfundim të disa prej veprave zërat e tyre bashkoheshin, e hapësira deri në veprën tjetër plotësohej me duartrokitje të publikut.
Tenori Luan Durmishi tha për KultPlus se për të koncerti ishte impresionues dhe kjo nuk ishte befasuese.
“Kur një muzikant dëgjon formacione profesioniste gjithnjë është sikur dëgjon për herën e parë, programi ishte shumë i bukur në aspektin vokal pasi që kishin një teknikë të mrekullueshme dhe këndonin aq lehtë, bukur, natyrshëm dhe në origjinalitet dhe mund të them që kjo tek ne rrallë shumë dëgjohet. Me një program kaq voluminoz, me kërkesa kaq të larta artistike, ky formacion definitivisht la për t’u kuptuar që kanë një vlerë shumë të madhe në Britaninë e Madhe”, u shpreh Durmishi për KultPlus.
Tutje Durmishi tha se Kosovës i kanë munguar festivale të tilla që i kushtohen vetëm vokalit kur dihet që vokali është instrumenti më i lartë dhe që e thith publikun në çfarëdo forme.
Mesha për katër zëra e kompozitorit William Byrd ishte vepra kryesore të cilën e sollën grupi vokal britanez, duke sjellë mes tjerash edhe vepra të Tormis , Hildegard von Bingen, Cristóbal de Morales, Giovanni Pierluigi da Palestrina, Thomas Tallis, Eric Whitacre, John Tavener dhe Josquin des Prez.
Drejtori i Festivalit “Prishtina International Vocal”, Hajrullah Syla, tha për KultPlus se ideja e krijimit të këtij festivali ka qenë më e hershme pasi që Kosovës për një kohë të gjatë i ka munguar një festival që i përkushtohet muzikës vokale ndërsa thotë se edhe më tutje do të vazhdojnë ta përmbushin këtë zbrazëtirë duke sjellë përmes festivalit artistë të rangut botëror. Përmes koncertit të mbrëmshëm ai tha se grupi “The Gesualdo Six” pati mundësinë ta dëshmojë veten kurse publiku i Prishtinës u ndrit nga një grup që nuk dëgjohet shpesh këtu.
“Grupi që sonte performoi janë një grup shumë aktiv, me kapacitet e aftësi vokale, ndërsa e dëshmuan veten edhe në Prishtinë, kjo ishte një paraqitje mjaft e mirë dhe publiku i mirëpriti. Programi është përzgjedhur nga udhëheqësi i grupit dhe për mua ka qenë një risi pasi që nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë diçka të tillë por mendoj që ishte një kombinim shumë i mirë”, u shpreh Syla për KultPlus mbrëmë pas koncertit.
Sonte festivali do të vazhdojë natën e dytë koncertale me ansamblin ‘Zanat’ nga Prishtina dhe korin ‘Siparantum’ nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin. Koncerti do të mbahet në Amfitearin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com