19 Prill, 2022 - 11:30 pm
Për të gjithë adhuruesit e emisioneve muzikore, “The Voice Australia” rikthehet me sezonin e ri.
Qytetarë të talentuar nga pjesë të ndryshme të vendit, fusha të ndryshme të jetës e mosha të ndryshme, dolën në skenë për të kënduar me zemër në përpjekje për t’u zgjedhur nga ndonjëri prej anëtarëve të jurisë, që t’i drejtojë ata në këtë shou garues të njohur anembanë botës.
Edhe këtë vit, katërshja e mentorëve të “The Voice” përbëhet nga yjet e muzikës, Rita Ora, Keith Urban, Guy Sebastian dhe Jess Mauboy, raportoi të martën portali “7News”.
Ata e bënë hapjen e emisionit me një performancë të shkëlqyeshme ‘live’, të këngës, “High Hopes”, për t’ia liruar më pas skenën konkurrentëve, disa prej së cilëve tashmë kanë pak eksperiencë si performues derisa të tjerët janë talent i pastër natyral.
“The Voice Australia” transmetohet çdo javë. Fillimisht është duke u shfaqur faza e parë e konkurrimit e njohur si “Blind Auditions”, për të vazhduar tutje me fazat tjera të përzgjedhjes së pjesëmarrësve deri në netët e performancave ‘live’.
Gjasat që këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, ta fitojë këtë sezon janë të mëdha, marrë parasysh se ajo është një prej anëtareve më të pëlqyera nga konkurrentët.