6 Shtator, 2022 - 6:30 pm
15 vjet më parë u shua një nga tenorët më të mëdhenj në botë.
Më 12 tetor të vitit 1935 ka lindur tenori me famë botërore, Luciano Pavarotti i cili la gjurmë të mëdha në muzikën klasike, duke u bërë ndër tenorët që mahnitën botën, shkruan KultPlus.
Luciano Pavarotti është tenori më i famshëm italian i tridhjetë viteve të fundit si edhe këngëtari më i famshëm jo vetëm në botën e operas, por ndër të gjitha zhanret.
Pavarotti lindi në Modena, Italinë e veriut, dhe vdiq po aty. I biri i një bukëpjekësi, Pavarotti kishte menduar të bëhej futbollist profesionist, por thoshte se dëshira e tij për të kënduar qëkur ishte katër vjeç kurrë nuk e kishte lënë.
Luciano Pavarotti pati një karrierë dyzetvjeçare në skenën botërore dhe brenda kësaj kohe u bë një prej artistëve më të shitur, krah për krah me artistë si Madona dhe Elton Xhon.
Sot, KultPlus ua sjell një këngë që bëri bujë të madhe në skenën e muzikës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për kënëgn e njohur ”This is a man’s world” të interpretuar nga Pavarotti në bashkëpunim me James Brown.
Ai i solli audiencë të re operës, në veçanti me melodinë karakteristike të tij Nesun Dorma nga Turandoti i Puçinit e cila u shndërrua në njërën prej himneve më të adhuruara të futbollit në botë.
Në disa intervista, para se të operohej Pavarotti u shpreh në disa intervista se ndihej një njeri me fat. “Unë jam dhe kam qenë një njeri me fat. Do të jem optimist deri në vdekje”. Në vitet e fundit, sidomos në Itali, Pavarotti është përfolur më shumë për jetën e tij personale se atë profesionale. Fillimisht ai u përfshi në një skandal taksash në Itali e më pas u kritikua pasi la bashkëshorten e tij prej 30-vitesh për t’u martuar me asistenten e tij të re. Pavarësisht të gjithave, Pavarotti, ka qenë sa ishte gjallë e do të mbetet dhe pas vdekjes, një prej ikonave më të shquara të skenës operistike.
Luciano Pavarotti përbën rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200 duke e klasifikuar atë si një fenomen. / KultPlus.com