“Thriller” i Michael Jacksonit lansohet në 3D në festivalin e Venecias

6 Shtator, 2017 - 9:00 am

Videoklipi i këngës historike “Thriller” është realizuar ngase pop ylli Michael Jackson atëkohë dëshironte të shfaqej si përbindësh. Kështu bëri të ditur regjisori dhe drejtori i produksionit prapa këtij projekti, John Landis, në festivalin e filmit në Venecie.

Landis gjendet në qytetin italian për ta prezantuar versionin 3D të këtij videoklipi, i realizuar 35 vjet pas lansimit të versionit origjinal.

“Thriller nuk ishte ideja gjeniale e askujt dhe nuk ishte ndonjë plan brilant i biznesit. Ishte thjesht një videoklip i realizuar me kërkesë të Michaelit, i cili atëkohë dëshironte të dukej si përbindësh.

Gjithçka që ka pësuar pastaj, zanafillën e kishte aty, dhe përfundoi duke u shndërruar në një projekt tejet të suksesshëm, për çka unë u befasova tej mase,” tha Landis, para gazetarëve të pranishëm në Venecie.

I pyetur për takimin e tij të parë me Michaelin, fëmija yll i shndërruar në Mbret të Muzikës, i cili e pushtoi botën me vallëzimin e tij, por vdiq papritur në vitin 2008 në moshën 50 vjeçare, Landis tha se ai ishte shumë i hareshëm dhe paksa çapkën, por se ndihet me fat që shumë shpejt Jackson ishte shndërruar në mik të afërt të familjes së tij, transmeton Express në KTV.

Landis, një regjisor amerikan i filmit, skenarist dhe producent muzikor, e kishte pranuar menjëherë rastin për ta sjellë versionin 3D të videoklipit “Thriller”, ngase ka dashur që edhe publiku dhe fansat e Michaelit ta përjetojnë këtë video në mënyrën që mbreti i popit ka dashur. Ai poashtu shtoi se Jackson gjithmonë e ka pasur në plan të sjellë këtë projekt në ekran të madh.

“Zhgënjimi im i vetëm është për faktin se Michael nuk është këtu me ne sot për ta parë këtë projekt, ngase jam i sigurt se do ta pëlqente shumë,” tha ndër të tjera Landis. / KultPlus.com

Të ngjajshme