The Times: Elbenita Kajtazi, një fëmijë lufte që u bë një ndër fituesit e garës ‘Glyndebourne Opera Cup’

26 Mars, 2018 - 11:22 am

Gazeta prestigjioze “The Times”, i ka kushtuar një artikull të veçantë sopranos kosovare, Elbenita Kajtazi ku e ka portretizuar atë si fëmijë lufte që sot po arrin të prek majat e suksesit të saj, shkruan KultPlus.

“Ndërsa ushtarët mbanin armë tek koka e saj, shtatëvjeçarja Elbenita Kajtazi këndonte në mendjen e saj. Tani, 20 vite më vonë, zëri i sopranos kosovare ka magjepsur audiencën në Glyndebourne”, kështu e fillon shkrimin “The Times”.

Më tutje The Times ka përshkruar fëmijërinë e saj në qytetin e Mitrovicës, qytetit që akoma qëndron i ndarë. Atje ajo po rriste dëshirën e madhe për këndim por që situata në të cilën ndodhej ajo dhe familja, shpesh po i dhuronin pasiguri për të ngritur zërin e saj. Këtë fundjavë, në udhëtimin e saj të parë në Angli, Elbenita Kajtazi arriti të fitoi çmimin e audiencës në inaugurimin e Glyndebourne Opera Cup.

“Këndimi për mua është si terapi. Kur arritëm të kthehemi në shtëpi pas luftës, të gjithë ishin shumë të lumtur që ende ishim gjallë, kështu që askush nuk do të fliste për atë që ndodhi”, i ka dhënë sopranoja “The Times”.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë. / KultPlus.com

Të ngjajshme