20 Dhjetor, 2023 - 12:19 pm
Vjollca Duraku
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, të martën mbrëma ka organizuar një koncert festiv në prag të festave të fundvitit me soliste sopranon e njohur Besa Llugiqi e cila u përcoll në piano nga Misbah Kaçamaku, gjithashtu në këtë festë muzikore u prezantuan edhe duo Syzana Jakupi, Alba Muçolli-Dehiri në piano dhe Kori i burrave nën dirigjimin e maestros Rauf Dhomit, shkruan KultPlus.
Në skenën rrethore në të cilën takoheshin dy anët e sallës së akademisë, fjalën hyrëse e mori i ‘zoti i shtëpisë’, akademik Mehmet Kraja, i cili me një fjalim shumë të shkurtër i falënderoi mysafirët për prezencën e tyre, dhe tutje fjalën ja la këngës.
Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, ajo e cila ka shkelur shumë skena prestigjioze nëpër Evropë, në këtë mbrëmje u shfaq si një yll i ndritshëm i muzikës dhe hyri në sallën e Akademisë së Shkencave nën përcjelljen e duartrokitjeve të shumta të publikut, ku para profesionalizmit, ishte eleganca e saj ajo që foli e para.
Një fustan i kuq plotë shkëlqim, në një kontrast të bukur me ngjyrën e zezë të flokut të saj, gërshetuar me zërin mahnitës, bëri që akademikët dhe të pranishmit të shijojnë pafund koncertin.
Zëri i sopranos Llugiqi, rrjedhte me një butësi të sinqertë duke dëshmuar natyrshëm një talent të jashtëzakonshëm. Çdo notë ishte një emocion që shpërthente me fuqi, duke kapur zemrën e audiencës dhe duke e çuar atë në një udhëtim të thellë emocional.
Me një repertor të zgjedhur si: Die Nacht- R. Strauss, Ach Lieb, Ich Muss Nun Scheiden- R. Strauss, Vilja’ Song – F. Lehar, Quando Men Vo “ La Boheme”- G. Puccini, Song to the Moon-A. Dovrak, Pace Mio Dio-G. Verdi, sopranoja Llugiqi, me elegancën dhe forcën e saj, rrëfente histori me secilën notë.
Publiku nuk mund të rezistonte ndaj magnetizmit të saj artistik dhe ndjenjave që ajo sillte në çdo interpretim.
Po me një elegancë të tillë, në skenë u ngjiten edhe pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli- Dehiri. Pasi zunë vendet e tyre, ato nisën të lëshojnë tingujt e parë në sallë. A. Dvorak Slavoi Dance/ OP. 72 NR.2 dhe Slavonic Dance/ OP.46 NR. 7, ishin pikat e përzgjedhura nga kjo duo, që në harmoni të lëvizjes së duarve me njëra tjetrën dhuronin tinguj herë të lartë, të hareshëm, strikt, të shpejt dhe herë të qetë.
Pas kësaj performance, në skenë zuri vend Kori i Burrave nën udhëheqjen e dirigjentit profesionist Rauf Dhomi. Me disa perla shqipe, Kori i dhuroi publikut art mbi dashurinë për atdheun me pikat interpretuese siç ishin: “Nën Skënderbenë”, “Varka” dhe “Të falemi o dhe”.
Të gjitha pikat që u interpretuan, nga publiku që këtë radhë i takonte nivelit më të lartë, u duartrokitën shumë. Kjo gjë ishte reflektuar edhe te vetë artistët e skenës.
Koncerti u përmbyll nga solistja e kësaj ngjarje, nga sopranoja Besa Llugiqi e cila ngriti publikun në këmbë dhe bëri që duartrokitjet të zgjasnin më shumë se zakonisht.
Emocionet e para pas koncertit, sopranoja Besa Llugiqi i ndau me KultPlus. Interpretimin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ajo e ka quajtur përjetim të rrallë.
“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Profesori Rauf Domi ka qenë ai që më ka ftuar dhe jam e lumtur që isha pjesë e këtij koncerti. Ka qenë sinqerisht një përjetim i rrallë. Më pëlqeu atmosfera, njerëzit e kanë përjetuar dhe unë u mundova të jap maksimumin tim në këtë aspekt. Besoj që ka qenë një program interesant për ta dhe jemi munduar të prekim një repertor pak më të gjerë, kështu që po shpresoj që e kanë shijuar”, ka thënë sopranoja Llugiqi.
Ndërsa pianistja Alba Muçolli -Dehiri u shpreh e lumtur për interpretimin e saj në koncertin e mbrëmshëm, ku mbi të gjitha në këtë fundvit shpalosën punën që kishin arritur ta bëjnë gjatë tërë vitit.
“Është jashtëzakonisht kënaqësi e madhe për ne si artistë që të marrim ftesa të tilla, në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës që të performojmë dhe të jemi pjesë e eventeve të tilla, pra koncerteve përmbyllëse apo koncerteve festive të vitit të ri, sepse edhe puna jonë shpaloset. Pra gjithmonë është kënaqësi që këto vepra apo këtë punë që ne i bëjmë gjatë vitit, t’i ndajmë me publikun artdashës”, ka thënë pianistja Muçolli- Dehiri, e cila më tej u shpreh e lumtur që së bashku me kolegen e saj Syzana Jakupi, interpretuan vepra të përzgjedhura me një shije të hollë, të cilat publiku i priti jashtëzakonisht mirë.
Ndërsa dirigjenti Rauf Dhomi, tha se ndihej shumë i kënaqur me performancën e Korit të Burrave që interpretoi nën dirigjimin e tij, e veçanërisht me performancën e sopranos Besa Llugiqi të cilën e quajti: “Primadonë të Ballkanit”.
“Ky koncert është i dedikuar për primadonën Besa Llugiqi, besoj që është një nga këngëtaret më të mira që ka pasur Kosova, dhe besoj që në 10 vitet e ardhshme është Primadonë, gjithsesi unë uroj të mos jetë kështu si them unë dhe të dalin edhe të tjera sikurse Besa në skenë”, tha Dhomi teksa tutje përshkroi edhe interpretimin e Llugiqit.
“Një tingull shkon lartë në kupë të qiellit dhe zbret në cep poshtë, tri oktava poshtë, është sikur të biesh nga një lartësi e madhe 12 katëshe dhe të mos lëndohesh fare. Ka një ngjyrë të mahnitshme të zërit, është shumë e larmishme, nuk është e njëtrajtshme dhe të jep motiv që ta dëgjosh”, u shpreh Dhomi.
Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili është shprehur se përmes këtij koncerti, artistët shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.
“Një natë tjetër festive mbrëmë në Koncertin Festiv të fundvitit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Besa Llugiqi, Misbah Kaçamaku, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, së bashku me korin e talentuar të burrave nën drejtimin e kompozitorit Rauf Dhomi, shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.
Performancat e tyre, duke përfshirë veprat e R. Strauss, F. Lehár, G. Puccini, A. Dvorak dhe G. Verdi, paraqitën vitin e suksesshëm të Akademisë përmes muzikës”, shprehet Kryeministri.
Pas këtij koncerti, të gjithë mysafirët u takuan nga afër në një koktej rasti të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. / KultPlus.com