16 Prill, 2018 - 12:54 pm
Shoqata kulturore URACult e.V. në Köln në këtë fundjavë organizoi një koncert klasik, ku muzikantë të shquar dhe pedagogë të Fakultetit të Muzikës së Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, sollën një program të larmishëm me vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.
Nën moderimin e pianistit dhe dirigjentit Desar Sulejmani, pianistet Syzana Jakupi, Mimoza Pajaziti – Drançolli, mexosopranoja Besa Berberi, flautistja Dardane Nallbani, klarinetisti Fatbardh Gashi e oboisti Arsim Kelmendi prezantuan para publikut shqiptaro – gjerman në Altes Pfandhaus në Köln një program të larmishëm me vepra të muzikës së dhomës nga Bashkim Shehu, Rafet Rudi, Rauf Dhomi, Isak Shehu, Viçens Gjini, Trimor Dhomi, Drinor Zymberi, Valton Beqiri.
Ky ishte koncerti i dytë i radhës, që shoqata kulturore URACult organizon me muzikë klasike në Köln. Synimet e kësaj shoqate janë bashkëpunimet e vazhdueshme mes artistëve nga vendet shqiptare në Ballkan dhe komunitetit shqiptaro – gjerman që jeton dhe është integruar prej vitesh në Gjermani.
Edhe koncerti i fundit afroi një game të gjerë veprash dhe stilesh kompozicionale, të cilat zgjuan interes dhe vëmendje të veçantë tek të pranishmit. Edhe një herë kultura shqiptare nga të dy anët e kufirit politik mundësoi ngritjen e urave të bashkëpunimit, arriti të tregoj vlerat e saja universale për të qenë e denjë me simotrat e saja evropiane. URACult dëshmoi edhe një herë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme në lëmin e kulturës, se është një përcjellës dhe mbështetës i palodhshëm i zhvillimeve më të mira artistike shqiptare në Gjermani./KultPlus.com