9 Qershor, 2018 - 5:47 pm
Alberina Haxhijaj
Sot në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, Shefqet Hoxha ka bërë promovimin e librit të tij me veprat muzikore të kompozuara ndër vite. Brenda librit të titulluar “Tingujt e zemrës sime” janë përfshirë melodi për fëmijë, melodi të lehta, këngë popullore, valle popullore, këngë për solo këndim e piano dhe këngë korale, të cilat dëshmojnë vlerën që la brenda vetës ky libër, shkruan KultPlus.
Të shkruash një libër si “Tingujt e zemrës sime” nuk është e lehtë pasi që libri brenda vetës jo vetëm që ngërthen vlera muzikore por shpërfaqë edhe ndjenjat që ka pasur autori gjatë kohës sa ka shkruar dhe kompozuar këto vepra të përmbledhura në një libër të vetme.
E tillë ka qenë edhe kënga e parë të cilën e ka shkruar Shefqet Hoxha, “Nënës sime” të cilën ai ia kishte dedikuar vajzës së tij Elizës dhe nënës së saj. Për të vazhduar me kompozime të tjera ndër vite e të cilat preknin tema dhe zhanre të ndryshme.
Pikërisht ndarja e librit në kapituj është bërë sipas zhanreve. Aty meloditë janë të ndara në kapituj të cilët janë gërshetuara me përmbajtjen e teksteve, që i kishte në dorë Hoxha nga autorët e tjerë por edhe nga ato poezi-tekste që buronin nga vet ai krahas vijës melodike, që shkruante në pentagramin muzikor. E për përmbledhjen e gjithë kësaj punë në një libër autori, Shefqet Hoxha falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar.
“Këto krijime të miat janë një shprehje e realitetit tonë jetësor, realitet ky që bashkërisht e jetuam dhe e përjetuam, andaj mendoj se pikërisht këtu qëndron thjeshtësia dhe sinqeriteti i shprehjes dhe përjetimit të tyre, ngase ato burojnë nga melosi i pastër i popullit tim dhe nëpër të cilat ai kaloi dhe kalon”, theksoi ai.
Muzikologu Kushtrim Jakupi, vlerësoi lartë krijimtarinë e autorit duke theksuar se ajo që i ka lënë shumë përshtypje është prania e elementit muzikor tradicional-folklorik në shumë këngë, jo vetëm në shtrirjen melodike por edhe në atë ritmike.
“Rëndësia e këtij vëllimi të këngëve është jo vetëm individuale, personale, por rëndësia është më e gjerë, pasi që nevoja e madhe e përmbledhjeve të tilla të veprave të atyre që kontribuan për kulturën muzikore është e madhe dhe duhet çmuar dhe stimuluar. Vëllimi i këngëve dhe valleve po edhe këngëve të adaptuara për zë e piano si dhe ato korale, të krijuesit Shefqet Hoxha, do të radhiten në sirtarin e krijimeve të kompozitorëve kosovarë, si një mundësi shfletimi të një punë shumëvjeçare, të një krijimtarie të denjë, të ardhur nga shpirti i një artisti popullor, i cili ia dedikoi krijimtarinë familjes dhe popullit të tij”, u shpreh Jakupi.
Koreografi dhe studiuesi i folklorit, Skender Haklaj për të pranishmit kujtoi fillimisht momente nga takimi i tij i parë më autorin Hoxhaj për të vazhduar tutje për diskutimin e tij për librin duke theksuar kapitullin e katërt ku janë përfshirë 40 muzika vallesh.
“Për realizmin e krijimtarive koreografike, bazuar në muzikën e kompozuar nga autori Shefqet Hoxha, nuk denjoj të flas, pasi që do të ishte më e udhës që ti shikoni të interpretuara sot dhe vlerësimet e juaja do i pranoj më kënaqësi. Pune e kompozitorit në krijimtarinë muzikore buron me hedhjen e krijimtarisë së tij mbi pentagramin muzikor dhe pikërisht në atë moment fillon fantazia e koreografit”, u shpreh ai.
Poeti Isak Gashi, u shpreh se leximi i teksteve të këngës nga Shefqet Hoxha, të jep ndjesinë shpirtërore që të dhuron poezia. Ai vlerësoi lartë tematikat të cilat Hoxha i përfshinë në shkrimet e tij. Sipas Gashit, në të gjithë poezinë e Hoxhës lexuesit do të ndeshen me konceptin e jetës, me mundësinë që i jepet njeriut për të jetuar me plagët dhe me dhimbjet.
“Dhuntia krijuese e poetit, arrin të përthyejë konceptet e kohës, ta bëjë poezinë më kumbuese, më jetësore, më shpirtërore duke e kthyer në një mesazh përjetësues njerëzor dhe artistik, tek të gjithë njerëzit që do ta konsumojnë si art dhe si letërsi”, u shpreh ai.
Gjatë promovimit u interpretuan edhe dy vepra nga Majlinda Bajrami e cila fillimisht u shoqërua nga vajza e autorit, pianistja e njohur Pranvera Hoxha, e cila më vonë i la vendin babit të saj, për të interpretuar në piano veprën e dytë.
Po ashtu pas promovimit u vallëzuan edhe valle pikërisht me këngë e kompozuar nga kompozitori Shefqet Hoxha./ KultPlus.com